E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kthesë dramatike - GM nuk do ta shesë Opelin



General Motors vendosi të mos ndahet nga kompania gjermane bijë Opel dhe bëri të dështojë marrëveshjen me kompaninë austriako-kanadeze Magna. Shefi i GM, Henderson, i vlerësoi kostot e ristrukturimit në tre miliardë euro.

General Motors kishte dyshime për shkak të partnerëve rusë të Magnas

Kundërshtarët e fuqishëm të marrëveshjes me Magnën në Këshillin Administrativ të GM ia dolën mbanë: në veçanti kryetari 67-vjeçar i këtij këshilli, teksani Ed Whitacre, i cili kishte dyshime për Magnën për shkak të dy partnerëve të saj rusë. Dhe zëvendësshefi i General Motors, John Smith, i cili në blogun e tij në internet kishte paralajmëruar javë më parë për mospëlqimin e fiksimit tek Magna. Përse duhet të shesim pikërisht Opelin, pjesën lidere në teknologji dhe relativisht të shëndetshme të koncernit, pyesnin javët e fundit gjithnjë e më shumë anëtarë të Këshillit Administrativ të ngritur rishtas nga qeveria “Obama”.

Opeli është një nga pjesët qendrore të GM dhe jo vetëm në aspektin e shitjeve, por edhe sa i takon kërkimit dhe zhvillimit të teknologjive. Ky konstatim i thjeshtë ka fituar gjithnjë e më shumë peshë nga muaji në muaj, thotë Justin Hyde, ekspert për GM në gazetën "Detriot Free Press". Presidenti Obama e ka vënë përpara përgjegjësisë për sukses koncernin e shpëtuar me 70 miliardë dollarë nga paratë e taksapaguesve. Dhe pa shtyllën mbështetëse Opel në tregun qendror të automjeteve në Evropë, Këshilli Administrativ i GM-së nuk sheh asnjë shans suksesi, thotë eksperti Hyde.

Heqja dorë nga Opeli përmes shitjes së tij koncernit Magna nga këndvështrimi i Detroitit do të ishte një dizavantazh jashtëzakonisht i madh në konkurrencë. Atëherë GM do të bëhej papritur një nga prodhuesit e pakët globalë, që nuk do të kishte kontroll mbi degën e tij evropiane të biznesit.

Shitja e Opelit do ta bënte GM-në të pushonte biznesin evropian

"Të gjithë prodhuesit e mëdhenj të automjeteve në botë janë të varur në mënyrë elementare nga biznesi i tyre evropian. Aty zhvillohen modelet për tregun botëror të së ardhmes", - shpjegon eksperti Hyde. Sipas vlerësimit të tij, Këshilli Administrativ i GM ishte prej kohësh i vendosur të çonte në dështimin e marrëveshjes së favorizuar nga Kancelarja Merkel me Magnën. Trysnia nga Berlini nuk i pëlqeu aspak Këshillit Administrativ në Detroit. Por tani që shefat e GM duhej të konfirmonin para Komisionit të BE-së se nuk ka pasur trysni gjermane në çështjen Magna, Këshilli Administrativ tërhoqi levën e emergjencës. Zotërinjtë në Detroit pritën derisa Merkel përfundoi vizitën zyrtare në Uashington dhe dolën përpara gazetarëve.

"Është një ditë e madhe", - tha Ed Whitacre i cili e përdor këtë shprehje kur triumfon në një vendim të rëndësishëm.

Por, tani Whitacre-it i duhet të sigurojë shumë shpejt shumë miliardë euro, për ta shpëtuar nga falimentimi Opelin. 1,5 miliardë euro i duhen rikthyer vetëm qeverisë gjermane deri në fund të nëntorit, por menaxherët e GM shprehen optimistë, për qeverinë gjermane shpëtimi i Opelit me siguri që vlen tre miliardë euro, kjo është llogaria e Detroitit. Një miliard të tjera janë premtuar tashmë javë më parë nga qeveritë e Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Polonisë, në rast se Opeli mbetet 100% kompani bijë e GM dhe nuk mbyll fabrikat e tij britanike, spanjolle dhe polake. Krejt e paqartë është se çfarë nënkupton vendimi i Detroitit për qendrat e Opelit në Gjermani. Veçanërisht të rrezikuara janë fabrikat në Bohum dhe në Kajzerslautern.

Nga Ralf Sina/Eliana Xhani

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›