E Shtunë, 31 Tetor 2026

Florian Vlashi, violinisti shqiptar në skenën spanjolle



Violinisti shqiptar, Florian Vlashi, i cili nga viti 1992 është akredituar në Orkestrën Simfonike të Galicisë (Spanjë), muajt e fundit ka zhvilluar një veprimtari të ngjeshur koncertore edhe si solist, edhe si drejtues i grupit instrumental "Shekulli XX".

Violinisti 45-vjeçar nuk i është ndarë edhe këtë vit organizimit të edicioneve të veprimtarive "Netët e muzikës klasike", e cila u zhvillua edhe sezonin veror 2009, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ai është formuar në shkollën "Jan Kukuzeli" të Durrësit dhe në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ka regjistruar mjaft koncerte si

"Libër-CD", një bashkëpunim me autorët bashkëkohorë spanjollë si Pereira - dhe Duran. Florian Vlashi përveç punës si instrumentist në Orkestrën Simfonike të Galicisë, që nga viti 1996, drejton ansamblin instrumental "Shekulli XX", i cili interpreton vetëm muzikë të autorëve bashkëkohorë. Në repertorin e këtij ansambli vitet e fundit kanë hyrë edhe veprat e autorëve shqiptarë, si Thoma Gaqi, Hajg Zaharian dhe Edmond Buharaja. Violinisti nga Durrësi ka interpretuar pak kohë më parë sonatën për violinë solo të Sergej Prokofievit - "duke nënvizuar elementet e freskët e popullore të partiturës, sidomos ritmet vallëzuese, mazurkat dhe motivet lirike e melodike". Revista e specializuar "El mundo clasico" (Bota klasike) në numrat e saj, ka vlerësuar gjithmonë figurën e punën e violinistit shqiptar për zhvillimin e muzikës bashkëkohore në Galici. "Ai ka bagazh artistik të madh dhe kjo e bën Vlashin një nga protagonistët më të mëdhenj të muzikës galjege (krahina e Galicisë, Spanjë) bashkëkohore të dhjetëvjeçarëve të fundit. Në të ardhshmen, violinisti Florian Vlashi do të këtë disa koncerte si solist në festivalin “Moxarti” në La Korunja (Spanjë), në Santiago (Portugali) dhe në Verona (Itali). Ndërsa nuk harron kurrë çdo fund korriku të organizojë në Durrës veprimtarinë "Netët e muzikës klasike", e cila ka arritur në edicionin e saj të pestë. Kjo veprimtari është konceptuar si një udhëtim në botën muzikore koncertale, duke u ndalur në stacionet e muzikës baroke dhe asaj klasike, të muzikës moderne dhe asaj impresioniste. Bashkë me instrumentistët shqiptarë, një pjesë e të cilëve janë diplomuar dhe perfeksionuar jashtë vendit, në edicionet verore marrin pjesë çdo vit edhe instrumentistë të huaj, si dhe nxënësit e shkollës artistike "Jan Kukuzeli" të Durrësit, ku ai u formua si artist.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›