Peshkatarët shmangin naftën pa akcizë
Peshkatarët tashmë e kanë siguruar naftën pa akcizë, por ndoshta një tjetër problem ka dalë për marrjen e saj nga pronarët e peshkatoreve. Burime tatimore thanë dje për “standard” se “si shkak është bërë mospagimi i detyrimeve në arkën e shtetit për dy vitet e fundit, 2008 dhe 2009, nga 127 anije që ka flota e peshkimit, vetëm 25% e saj ose 32 anije furnizohen aktualisht me naftë pa akcizë ndërsa pjesa tjetër vazhdon të përpëlitet duke e siguruar karburantin në portet e huaja”. Sipas specialistëve tatimorë, dy shkaqet që e kanë bërë të pazbatueshme skemën e furnizimit me naftë pa akcizë të sektorit të peshkimit, i pari është kushti i vënë nga dikasteri për peshkatarët të cilët duhet të përmbushin disa detyrime financiare në mënyrë që tubat e autoboteve të lidhen me serbatorët e anijeve, ndërsa shkaku i dytë ka të bëjë me mungesën e infrastrukturës së nevojshme për shpërndarjen e naftës në mjediset e peshkimit.
E ndërsa qeveria ka përmbushur detyrimin dhe premtimin e saj për naftën pa akcizë ndaj peshkatarëve, duket se këta të fundit nuk janë gati ta marrin atë, sepse figurojnë debitorë ndaj shtetit. Ata nuk janë në gjendje që të përmbushin detyrimet fiskale në mënyrë që të sigurojnë naftën e dëshiruar me çmim të lirë. Katër muaj më parë, peshkatarët arritën të përfitojnë naftë pa akcizë për anijet e tyre.
Por kushtet e vëna nga ministria përkatëse i ka detyruar peshkatarët të vazhdojnë të funksionojnë si më parë. Për të siguruar naftë pa akcizë çdonjëra nga anijet duhet të ketë shlyer disa detyrime financiare sikurse janë pagesa e licencës, shlyerja e tatimeve, pagesa e sigurimeve shoqërore si dhe pagesa e tarifës së regjistrit detar. Të gjitha këto arrijnë disa milionë lekë, pasi janë për t’u paguar dy vjet detyrime gjatë të cilëve sektori i peshkimit thuajse nuk ka punuar.
Bazuar në një VKM, prej disa javësh ka nisur furnizimi me naftë pa akcizë ndaj atyre peshkatoreve që janë “OK” me detyrimet ndaj shtetit. Dy autobote vijnë disa herë në javë dhe furnizojnë anijet e peshkimit, por peshkatarët mendojnë se “do të ishte shumë më praktike vendosja e një rezervuari të madh dhe ndërtimi i një distributori me dy apo tri aparate sikurse ngjet në portet jashtë vendit thonë në peshkim”. Në kushtet kur peshkatarët nuk kanë financa të shëndosha, pjesa më e madhe e anijeve 95 nga 127 që është e gjithë flota vazhdon të mbijetojë duke e siguruar naftën në portet italiane apo greke.