Kthime të kryera
Pas përballjes së ashpër dhe të gjatë, kanë ndodhur tri kthime përcaktuese, që pritet t’u prijnë punëve kah e mbara.
Kthimi i parë i vonuar: Bashkisë së Tiranës iu kthye Kryetari. Kryeqyteti, ligjërisht, ka pasur kryetar të zgjedhur, madje me shumicë votuesish, por faktikisht kryetari qe i zënë me punë tjetër. Qysh nga viti 2005, kur kryetari i bashkisë Edi Rama, u vu në krye të Partisë Socialiste, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji dhe plot gjashtë vjet, vota e qytetarëve të Tiranës, u tjetërsua në mandat të përsëritur, për t’i shërbyer qëllimit të kryetarit të Partisë. Mbetja e bashkisë pa kryetar, që ai të vihej në krye të punëve, dhe 24 orë më 24 orë, çoi në stërkeqje të gjithçkaje në kryeqytet, çka ndikoi që Edi Rama të humbte mijëra votues dhe zgjedhjet.
Lulzim Basha nuk është thjeshtë fitues, por ka fatin të jetë edhe shumë: ai është kryetari i kthyer te bashkia. Kjo ishte fitorja domethënëse e qytetarëve. Atij i mbahen mend dy gjëra të veçanta: fushata zgjedhore, një model i epërm, për t’u kapur nga të tjerë më vonë dhe premtimet e guximshme të shqiptuara në mënyrë qytetare. Spektakli zgjedhor është arkivuar në kujtesën njerëzore dhe teknikë digjitale, ndërsa premtimet për t’u përmbushur përmenden gjithandej në formën e vështirësive për t’u përballuar. Te jo aq pak qytetarë, thuhet pyetja dhe rri pezull droja: a do të mund Basha t’i bëjë të gjitha sa tha?
Po, ai mund dhe duhet t’i bëjë, sepse:
Bashkisë i është kthyer kryetari i përgjegjshëm dhe me kohë të plotë pune. Basha i ka dhe do t’i përdorë dy fonde të çmuara nga vetvetja: e para, përvojën në kryerjen e punëve të mëdha; dhe e dyta, si njeri me profil politik në rritje e përkryerje, mbart një synim që nuk është e vështirë t’ia hetosh - ky kryetar që mori mbi 125 mijë vota, mbetet konkurrues në politikë vetëm nëse në krye të bashkisë përmbush çka premtoi.
Frika që vërehet ndër qytetarë, se a mund t’i mbajë kryetari premtimet e thëna, nuk është krijuar nga premtimet e guximshme të Bashës për kryeqytetin, por nga mungesa disavjeçare e Ramës në krye të punëve të kryeqytetit. Përkeqësimet në Tiranë u mbimbuluan dhe, ky mal problemesh, të pa zëna me dorë qysh nga viti 2005, janë ndeshja që Basha e pranoi të përballet, duke u shpallur me një fushatë zgjedhore qytetare, dhe e bindi shumicën se nuk u tutet vështirësive. Dhe shumica nuk janë vetëm 93 vota, por mijëra të tjera, që në zgjedhjet e mëparshme i kishte pasur Rama, atëherë si fitues i padiskutueshëm.
Bashkisë së kryeqytetit i është kthyer ai lloj kryetari që s’ka parti për të bërë luftë politike nëpër Shqipëri e të mbajë ngritur sherre politike për përherë me qeverinë, por ai do të bashkëpunojë me qeverinë qendrore, për të dyfishuar mundësitë, nga vënia në një vijë e një qëllimi, të rolit të pushtetit vendor me atë qendror, për ta bërë kryeqytetin një model për qytetet e tjera të mëdha të vendit dhe për t’i dhënë Tiranës një fytyrë europiane të spikatur, një domosdoshmëri kjo, e zemrës së atdheut, në tërësinë e përpjekjeve për integrimin e vendit.
Kthimi i dytë i natyrshëm: Bashkia iu kthye qytetarëve. Kjo nuk është parullë dhe nuk tingëllon populizëm. Një nga gjërat më të papranueshme dhe më me pasoja ka qenë bunkerizimi i bashkisë në 6 vitet e fundit, nga 11 vjet të qëndrimit të një njeriu në krye të saj. Kryetari i bashkisë, me t’u zgjedhur edhe kryetar partie, këtë institucion të rëndësishëm e mbylli si kërmill, i dha trajtat e një prone vetjake: Bashkia - “pronë private” e Partisë, Partia - “pronë private” e Bashkisë, një përngjitje e nënkuptuar si në poemën “Vladimir Iliç Lenin”, të Majakovskit: Kur themi Partia, nënkuptojmë … Bashkia? Kur themi… Bashkia, nënkuptojmë Partia. Të qenit dyfishkryetar - i bashkisë më të madhe të vendit dhe i opozitës së madhe të vendit - përbën shembullin e “martesës” pushtet – opozitë, që kurrë më nuk duhet lejuar të celebrohet në Shqipëri, qoftë nga e djathta që sapo ka marrë bashkinë, qoftë nga e majta që sapo është larguar nga bashkia. Një kryetar opozite, i djathtë apo i majtë, me synim për të marrë pushtetin qendror, duke qenë edhe kryetar i bashkisë së Tiranës, gjithçka të bashkisë mund ta vejë në shërbim të partisë, por s’mund të ketë mundësinë, guximin e fuqinë, të braktisë vëmendjen ndaj anëtarësisë së partisë që t’i përkushtohet qytetarëve në disa parti.
Kthimi i bashkisë te qytetarët, pas kaq shumë vitesh, të një prove me pasoja, duhet të mbetet një kthim i përhershëm. Tani që qytetarët e kanë arritur qëllimin, kurrë më nuk duhet që, detyrën e rëndë të kryetarit të bashkisë, t’ia japin njëkohësisht një kryetari partie të rëndësishme.
Kryetari Edi Rama i kthehet vetëm Partisë Socialiste. Kjo, edhe pse s’ka të bëjë me të gjithë qytetarët, por me ata që kanë përkatësi socialiste, sillet të jetë një ndreqje e diçkaje politike të ndërtuar keq. Ai ka qenë i dyzuar ligjërisht: te selia e partisë kishte të drejtë të thoshte se jam kryetar i bashkisë dhe te selia e bashkisë kishte të drejtë të thoshte se jam kryetar i partisë. Anëtarësia e partisë dhe qytetarët e bashkisë kishin mëse të drejtë të pyesnin: ku je i plotë e ku për syreta? Edhe kur ai gabonte në krye të pushtetit vendor ku qe kryetar, qeveria qendrore nguronte ta vinte përballë përgjegjësisë, sepse ai kishte edhe imunitetin hijerëndë të kryetarit të opozitës. Kur si kryetar i opozitës ndërmerrte aksione politike deri radikale kundër qeverisë, përdorte edhe fuqinë e pushtetit vendor si kryetar i bashkisë më të madhe - sepse 2K-ja - kryetar Bashkie + kryetar Partie, ishte figurë politike me profil shumë të lartë, vërtetë nuk ishte sa kryeministri por qe më shumë se figurë e dytë e vendit. Në fund të fundit, ky kthim është ligjërisht i drejtë, politikisht i dobishëm, mbi të gjitha i vërtetë - Edi Rama, për herë të parë, pas 14 vjetësh ministër dhe kryetar bashkie, e njëjtëson veten pa pushtet me Partinë në opozitë dhe Partia pa pushtet njëjtësohet me kryetarin në opozitë.
Por, kthimi i Edi Ramës në parti, shtron një problem partiak serioz dhe nxjerr në pah një siklet vetjak: ai nuk kthehet atje si humbës i bashkisë, se bashkia u përket qytetarëve të Tiranës, por si humbës i partisë, se partia u përket socialistëve të Shqipërisë. Me 140 mijë vota më pak se shumica, ai ka marrë tri barrë të rënda mbi vete: nuk ka arritur asnjë fitore në tri zgjedhje të njëpasnjëshme; ka dështuar në ndërtimin e aleancave për të fituar; e ka përçarë partinë aq sa, të paktën së jashtmi, nga sa duket, askush nuk bindet se ai mund të arrijë bashkimin brenda saj, në më pak se dy vjet deri në zgjedhjet e përgjithshme. Pas një beteje të gjatë alibish, inatçore dhe të mospranimit të humbjes, kryetari Rama arriti të shndërrohet në një figurë politike të lodhshme për pozitën, më pas për Shqipërinë, por dhe për ndërkombëtarët. Me kthimin e tij te partia, tashmë Tekkryetar - domethënë vetëm kryetar partie, i sulmuar me kritika të rrepta, për ato që i ngarkohen si përgjegjësi të humbjes së dyfishtë - bashki dhe parti - pritet që kryetari Edi Rama të zhvendoset në një figurë tejet të lodhshme brenda partisë. Pas kthimit të tij atje, vështirë të ketë pajtim mes tij dhe kundërshtarëve, ndaj ende nuk dihet - Rama kthehet atje i lodhur apo kundërshtarët do të lodhen prej tij. Kjo mbetet e vetmja e panjohur ndër tri kthimet e kryera.