Pse hesht media e Edi Ramës për përgjimet e paligjshme të mediave në Angli e SHBA?
Ofsajdi flagrant që ka konsumuar këto ditë gjiganti mediatik “News of dhe World”, apo edhe konsorciumi mediatik i Robert Murdoch, i cili ka vënë në veprim jo veç institucionet e akuzës të SHBA-së e të Britanisë së Madhe, por edhe faktorë të rëndësishëm të opinionit publik në kontinentin e vjetër, është përcjellë me një heshtje kuptimplote nga ana e medias së Edi Ramës në Tiranë. Asnjë koment për moralin e çimkës si një aset gazetaresk, as kur bëhet fjala për shantazhe politike e as kur cenohet privacy-ja e bashkëqytetarëve tanë. Media e Edi Ramës heshti si fija e barit pasi gjatë këtyre viteve të fundit është e mbushur dingas me shembuj kuptimplotë të përgjimeve të paligjshme, të përdorura për interesa politike apo për linçime të konsumuara në faqet e gazetave, edhe pse fokusi në asnjë rast s’ka prodhuar interes publik.
Media e majtë heshti sepse u shfaq gafil përballë reagimit të thellë të shoqërive amerikane e britanike, por edhe përballë institucioneve qindravjeçare të dy demokracive më të mëdha e më të vjetra në botë. Kryeministra e politikanë të rangut më të lartë reaguan ndaj përdhosjes që iu bë dinjitetit të njeriut, prej përgjimeve të ulëta e të paautorizuara që konsumoi gjiganti i tabloideve botërore. Në faqet e gazetave u përdorën zbardhje të reagimit të familjarëve teksa merrnin lajmin e humbjes së njeriut të tyre të dashur në luftimet e Afganistanit, apo edhe të tjera sakrilegje më pak protagoniste të zezonës, por gjithsesi karaktere të asaj ngrehine që po ngrihej prej botuesish a drejtuesish të paskrupullt e që derdhnin kupën e durimit të publikut. Askush s’mund të duronte kaq shumë, s’mund të duronte as tautologjia e “medias që boton ç’të dojë e me ç’mjet të mundet”.
E kjo peshore u derdh në vende ku media ka qindra vjet histori të vetërregullimit e të vetëpërmbajtjes, në vende ku media vetë ka krijuar konstantet e ekuilibrit, që ditë pas dite përfaqësojnë ingredientët e ekuilibrit të shoqërisë. Ndaj faktit të derdhjes së kupës reagoi edhe manjati Robert Murdoch, i cili s’priti të bitiste kurrfarë hetimi, por e mbylli tabloidin që kishte 168 vjet histori të lavdishme dhe i çoi para bankës së drejtësisë disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.
Por e gjithë kjo histori nuk e preku median e majtë të Edi Ramës, pasi, e centralizuar siç është, nën pushtetin e “kryeredaktorit” Edi Rama, nuhati si hienë se historia e procedimit të “News of dhe World” ishte historia e fatit që e pret këtë kartel mediatik. E institucionalizuar si një tabloid i çimkës, media e Edi Ramës po bën çmos t’ia fshehë publikut të gjerë të vërtetën e fatit që e pret... Dhe kjo sjellje është krejt një histori kamikaze e këtyre mediave, që edhe pse e dinë se kjo rrugë i çon në qorrsokak, vendosin ta ndjekin deri në fund, pasi “kryeredaktori” kërkon edhe pak kohë, sa të realizojë një interes politik të ditës. Tek kjo sjellje është shpërfaqur i gjithë rrënimi i çfarëdolloj skrupulli për etikën e profesionit. Asnjë zë s’shohim të pipëtijë, përveç një kamikazi mediatik, i cili sërish guxoi të thoshte me të madhe se “media mund të thotë ç’të dojë” e se “Murdoch bëri gabim që e mbylli gazetën”. Mustafa Nano mund ta ketë të thjeshtë ta bëzajë me zë të lartë këtë bindje martirizuese, pasi fundi i fundit, ia ka arritur qëllimit ta fitojë aq autonomi, sa të ketë të drejtë ta shpallë moralin e moskonsiderimit të kurrfarë morali në të shkruar e në të publikuar, por në qëndrimet redaksionale të mediave, asgjë formale s’u shfaq, pasi institucioni i çimkës s’mund të dënohet, meqë është servirur si “filli i kuq” i metodologjisë propagandistike të Edi Ramës.
Po t’u hedhim një vështrim casus-eve të çimkave mediatike, do vëmë re se institucionet tona të brishta, megjithë mungesën e përvojës, e kanë përbuzur këtë praktikë. Gjykatat kanë shpallur gjithsesi zhdëmtimin e viktimave, paçka se protagonistët mund të kenë marrë koston politike që ka sjellë momenti i publikimit të mijëra kopjeve me “jehonë çimke”.
300 vjet shtyp i lirë në SHBA e në Britaninë e Madhe e ndjenë këto kohë të nevojshme të ripërsërisin nevojën e mbrojtjes nga makiavelizmi mediatik dhe bënë kurban të kësaj ideologjie mediatike bash ikonën e ekstremit të lirisë. Kurse heshtja e establishmentit mediatik të opozitës në Tiranë na shkurajon, teksa marrim vesh se sa keq jemi katandisur e sa formalisht po e përjetojmë laryshinë e lirisë, veç si hapësirë ku pasioni i çimkave që ka Edvini mund të japë sipas rastit, herë përfitim politik, herë përfitim gjyqësor e thuajse në 100 përqind të rasteve përfitim financiar.