E Diel, 1 Nëntor 2026

Zoti Topi, e ke kthyer presidencën në një punishte, me dekoratat si ekonomi ndihmëse…

17-07-2011 / Nga Fahri Balliu

Institucioni i presidentit të republikës është kthyer prapë në qendër të vëmendjes së shqiptarëve, pasi po jep një tjetër shembull të refuzimit për të kryer detyrat të cilat i ngarkon kushtetuta.


Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor janë vënë në qendër të një sulmi banditesk, sipas versionit kinez të revolucionit kulturor, nga ana e kryetarit në detyrë të PS-së, por Bamir Topi, i shtyrë nga komuniteti ndërkombëtar pat deklaruar para nja dy javësh se gjyqtarët kanë besimin e tij të plotë, por janë lënë si jetimë prej tij, tani që vendimi i tyre për Tiranën s’ka ngjyrën dhe shijen që kishte vota e presidentit me 8 maj.


Ai ka hequr dorë nga kryerja e detyrave që i ngarkon kushtetuta jo veç në mbrojtje të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor (që s’patën frikë ta denoncojnë edhe publikisht këtë braktisje), por edhe për sa i përket drejtimit të KLD-së. Zëvendësi i tij, i cili duhej të merrej me punët e përditshme të KLD-së, është shndërruar në një tellall ambulant për disa çështje që deri para ca vitesh, Bamir Topi as e dinte se ku i binin me shpi e as kishte interes që t’i dinte, dhe kryetari i shtetit s’e ndjen të nevojshme as ta thërrasë në detyrë e as ta lirojë nga detyra.


Reforma në drejtësi po shkon për dreq por faqezinjtë që e drejtojnë sistemin s’kanë kohë për t’i kryer përgjegjësitë, pasi e kanë mendjen tek “punishtet” dhe “ekonomitë ndihmëse” që drejtojnë. Presidenca është kthyer në një punishte që të kujton “aspiratën” e Jovan Andonit, ambasadorit komunist, që i raportonte Tiranës që nga Koreja e Veriut se “në kuadër të fushatës së kursimit të shpallur nga partia, edhe Ambasada shqiptare e Phenianit kishte arritur të ngrinte një ekonomi ndihmëse e të prodhonte vetë djathë, qumësht, lesh e ndonjë produkt tjetër...”.


Edhe presidenca e Bamir Topit, qëkur nisi funksionimin, tentoi të kullandrisej me mallin e vet dhe i shndërroi zyrat në çerdhe të vërteta nepotike, ku mbizotëronin djemtë e tezeve, kushërinjtë e dytë apo edhe të afërm të një rangu pak më të largët. Pas instalimit të nepotizmit, rrethi i interesave u zgjerua veç pak tek shokët e shkollës a të njohur të tjerë të zijafeteve, dhe ky “brumë” nisi të ngrinte në këmbë “punishten” personale të kryetarit të shtetit. Si banko-provë e kësaj ekonomie ndihmëse shërbyen dekorimet private të vëllait të presidentit, disa kushërinjve të presidentit, tash së fundi edhe të shoferit të presidentit.


Ky sukses solli ngritjen në këmbë të ekonomisë së dekoratave, një dukje veç e vogël e përfitimeve që nxjerr presidenca nga moszbatimi i detyrimeve që i ngarkon kushtetuta. Pjesa e padukshme e ajsbergut, e kemi thënë edhe më herët që shtrihet tek sektorët e drejtësisë apo të agjencive të tjera të nomenklaturës, dhe që qeveriset njëlloj, me të njëjtat kritere si përzgjedhja e administratës së presidencës apo e njerëzve që vendosin se kujt do t’i jepen pallaskat (dekoratat). 


Refuzimi për t’u shprehur në përfundim të procesit zgjedhor të 8 majit apo edhe lënia e gjyqtarëve të Kolegjit në mëshirën e gojëlëshuarve të Edi Ramës, është një sinjal i mbramë se s’duhet të ushqejmë shpresa se presidenti do t’u kthehet zbatimit të detyrimeve që i ngarkon kushtetuta, sa kohë këto detyrime nuk përputhen me ngjyrën dhe me shijen e votës së tij të 8 majit. Sidomos në këtë pisk vape dhe me këtë mungesë perspektive që shihet për rinovim mandati, prioritete kryesore të presidentit dhe të nënfishave që ai ka ngritur e kultivuar në agjencitë e varësisë mbetet ekonomia ndihmëse e punishtes.


Është mirë që t’i reshtin shpresat në këtë drejtim, edhe ndonjë optimist i pandreqshëm që ende mendon se diçka mund të rikuperohet nga kjo investiturë presidenciale.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›