E Diel, 1 Nëntor 2026

Model i dështuar i një përrallëze latine

TIRANE - Megjithëse është realiteti ai me të cilin ballafaqohet njeriu dhe i jep këtij shtysat e nevojshme, për ndryshime të jetës, edhe përrallat kanë vlerën e tyre: të vyer apo nanuritëse, të dobishme apo prapambetëse. Në këtë kuptim, edhe përrallat që u pëshpëriten fëmijëve, edhe ato që u përshpirten të rriturve, edhe ato që personazhe kanë kafshët apo bimët, edhe ato që natyrën kanë për objekt, me fantazinë e krijuar zakonisht përçojnë mësime për sjelljet dhe veprimet, që karakterizojnë marrëdhëniet në shoqërinë njerëzore, sipas modeleve të një kohe të shkuar apo atyre që ndriçojnë arsyen për të ardhmen. Kështu është thënë gjithmonë, duke u gjetur ato shpesh herë si të përshtatshme për të ilustruar idetë.
Një përrallëz të vjetër latine të shfrytëzuar për këtë qëllim e hasim në shumë botime të hershme dhe të sotme të karakterit filozofik, politik, moralizues dhe religjioz. Ajo dëften, sesi “në një ditë të ftohtë dimri një grup iriqësh u shtrënguan te njëri - tjetri, për t’u mbrojtur nga acari, përmes ngrohtësisë së ndërsjellë. Por, s’kaloi shumë kohë dhe ata provuan gjembat e tyre, që i larguan nga njëri–tjetri. Kur nevoja për t’u ngrohur i riafroi, kjo e keqe u përsërit. Të robëruar mes dy mundimeve, dikur gjetën një largësi të përshtatshme”. Kështu, edhe shoqëria ndërmjet njerëzve, ndonjëherë vlerësohet nga autorë të ndryshëm si një formë e ngrohjes reciproke shpirtërore, të ngjashme me ngrohjen fizike të prodhuar nga ngjeshja pranë njëri–tjetrit kur acari të ngjeth mishin. Ama, cilido, të cilit ngrohtësia i buron së brendshmi, natyrisht që nuk ka nevojë të shtrëngohet te të tjerët. Si rrjedhim, shoqërizimi qëndron në raport të ndërsjelltë me vlerat që mbarten.
Ndërsa, nëse fillimisht është nevoja ajo që i detyron njerëzit të mblidhen së bashku, kur ndahen nga njëri–tjetri vendin e nevojës e zë më së shumti mërzia. Prandaj, vetëm të çliruar nga të dyja këto, ata mund të qëndrojnë vetëm. Megjithatë, edhe vlerat e kësaj lloj vetmie shfuqizohen nga kundërshtia e realitetit, që na ndëshkon me përgënjeshtrime në çdo hap. Fundja, siç thonë, vetëm i pari i kësaj bote, Adami, nuk kishte as babë e as nënë. Prandaj, në një këndvështrim tjetër, vetmia duket jo e natyrshme për njeriun, i cili që nga dalja në dritë gjendet në bashkësi. Ndoshta, me përjashtim të ndonjë plaku, që si ‘fosile’ e gjeneratave të shkuara, i regjur dhe i vdekur tashmë për dredhitë e bëra bashkë me dhunën e ushtruar, elementin e tij e gjen te vetmia.
Pra, pas këtyre që u përshkuan më lart bëhet e qartë që njeriu nuk është iriq, ai ka instinktet e veta, por ka edhe arsyen dhe ndërgjegjen vetjake. Këto e shtyjnë ta trajtojnë në një mënyrë ose tjetër shoqërinë me të tjerët dhe shoqërizimin në përgjithësi. Kjo tablo, skajet e së cilës vështirë të shquhen për njerëzit e thjeshtë, për politikanët dhe forcat politike që kanë drejtuar dhe drejtojnë janë fort të dukshme. Janë fort të dukshme edhe në Shqipëri, në të gjithë periudhën njëzetvjeçare të këtij tranzicioni të zgjatur, nga ku u prodhua, veç të tjerash, një krizë e rëndë morale, përkundër gjithçkaje që pritej nga zhvillimi i demokracisë. Po të hedhim vështrimin në retrospektivë, gjithë kjo periudhë është e mbushur me lojëra politike dhe lëvizje të atilla, që të kujtojnë përrallëzën latine, por me një model të dështuar. Pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë dhe e mbështetësve të tyre është orientuar kah interesi vetjak i pasurimit dhe i kapardisjes, mbi shpinë të një populli të tërë. Sikurse është dëshmuar, provuar, këtij orientimi u përkasin edhe motivet e krijimit dhe të zhbërjes së koalicioneve politike në Shqipëri, që kanë synuar marrjen e pushtetit dhe mbajtjen e tij me qip e me thonj.
Është humbje kohe të përmendim dhe të analizojmë këtu kërcimet pupthi sa majtas dhe djathtas në dimrin e ’91 –shit dhe atë të ’92–shit, apo në pranverën e 96 –s dhe beharin e 97 –s, të 2001 –shit apo atë të 2005 –s dhe 2009 –s. Mjafton të të mbajmë përpara syve situatën e sotme të ngarkuar me ngjarje dhimbshme dhe groteske, si edhe me urinë dhe varfërinë e mijëra e mijëra familjeve. Çdo gjë të pushtetarëve dhe të vasalëve të tyre, që u intereson vetëm kamja e mirëqenia personale, përkundër zhvillimit ekonomik të vendit, forcimit të shtetit të së drejtës, shkuarjes drejt një demokracie legjitime dhe bërjes së drejtësisë sociale. Në këtë prizëm, për shembull, açik shihet e kuptohet mynxyra e 21 janarit, që dëftoi gjithashtu strukturimin e një regjimi autokratik dhe pozicionin e një drejtuesi monokratik. Açik shihet e kuptohet gjithçka ndodhi me zgjedhjet e 8 majit, që pas nxjerrjes së rezultatit për kryetarin e Bashkinë së Tiranës, nuk mund të justifikohet kurrsesi çfarë ngjau më pas. Në skanerin që po i bën Bashkimi Europian kësaj periudhe, që ka kaluar Shqipëria që nga nëntori i vitit të kaluar, kur iu refuzua kësaj statusi i vendit kandidat për në BE, sidomos dy ngjarjet e përmendura formojnë njolla të mjaft të errëta, që mund të zgjerohen edhe më tepër deri në paraqitjen e progres–raportit në tetor të këtij viti.
Në këto kushte, çfarë po ndodh këtu në Shqipëri? Asnjë pendesë apo falje nuk po dëgjohet nga maxhoranca qeverisëse dhe lideri i saj, që janë përgjegjës të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, kryeministri, pasi ia dhuroi me dhunë, manipulime dhe para të ndyra kryeqytetin një kanakari të vet, gjithashtu mjaft të përlyer, tani ngihet dhe fton opozitën të hyjë në parlament dhe së bashku të miratojnë një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Sikurse bëjnë disa të tjerë, jo më pak përgjegjës për krijimin e këtyre njollave, për shembull drejtuesit e LSI–së apo nja dy deputetë që vetëm emërtimin e kanë ‘opozitarë’, të cilët u tregojnë të tjerëve derën e Kuvendit, prej nga u varkërka shpejtimi në rrugën drejt integrimit europian. Ndonëse, këto ditë janë vërtet të nxehta klimatikisht dhe politikisht, këto ftesa paralajmërojnë një dimër të ashpër për vet ata. Dhe, për të mos iu zbuluar atij kanë nevojë të fusin edhe opozitën parlamentare dhe masën e madhe të popullit që ndjek këtë të fundit në strofkullën e tyre, derisa me shpresë të vijnë ditë më të mira dhe të nisin përsëri nga avazet e tyre, t’i shkëputen unitetit kuvendar për reforma, si edhe të lëshojnë mallkimet, të ushtrojnë dhunën dhe të mashtrojnë opinionin, siç kanë bërë zakonisht.
Mirëpo, ky model i përrallëzës latine duket qartë që është i dështuar. Për të hyrë në shtator në Kuvend, opozita s’ka nevojë për këto ftesa të uzurpatorëve të pushtetit, s’ka nevojë për t’u ngrohur e copëtuar nga gjembat e iriqëve. Ajo është deklaruar tashmë për ndërprerje të bojkotit dhe pjesëmarrje aktive në Kuvend, krahas veprimeve të tjera demokratike, në mënyrë të atillë që të mund të imponojë sa më shumë dhe më mirë realizimin e një sërë reformash, sidomos ato ligjore, që jo vetëm do të mirëpriteshin nga Bashkimi Europian, por edhe do t’ia shtrëngonin lakun gjithnjë e më tepër pushtetit të atyre që e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Ky rol aspak kolaboracionist i opozitës, por i frytshëm për popullin që sytë i ka te ajo, nuk do të thotë se do të mund të finalizohet vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një të ardhme të afërt, por edhe me arritjen e disa objektivave të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, për transparencën në administratën publike, për mundësimin e ndarjes së pushteteve, dhe në këtë kuadër, të krijimit të një gjyqësori krejtësisht të pavarur.
E pra, një popull i mirinformuar ndaj nivelit të korrupsionit dhe abuzimeve të autoriteteve shtetërore, një popull me mbështetjen e gjerë të opozitës politike dhe në kontakt të plotë edhe me zhvillimet në vendet që e qarkojnë, pa dyshim që është një forcë, e cila rrezikon seriozisht cilëndo diktaturë dhe i shkaktojnë kujtdo autokrati jo pak dhimbje koke. Aq sa, ata që sot me ftesat e tyre duan ta hedhin lumin për t’i mbushur mendjen vendeve të zhvilluara dhe të kulturuara, ku ligji sundon me tërë peshën e tij, se janë të gatshëm të largojnë hijet e veta në rrugëtimin drejt Europës, ky model i fantazuar, larg realitetit të brendshëm dhe të jashtëm, çdo ditë në konvulsion, shumë shpejt mund t’i shtyjë të marrin arratinë nga strofkullat, të binden për dështimin e këtij modeli dhe të që nga honet ku do të bien të dëgjojnë Sileziusin e madh, bashkëkohësin e përrallëzës latine, i cili me gjithë ëmbëlsinë dhe dashurinë e tij ungjillore, nuk ka mundur të mos thotë “Vetmia është një dhimbje, por nëse ti nuk je më vërtet i lirë/Mund të rrish kudo, sikur të ishe në shkretëtirë”.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›