Kthimi i Amerikës në botën arabe
Problemet e Amerikës me arabët dhe sfidat e saj në Lindje të Mesme janë larg prej zgjidhjes. Obama ende duhet të përmbushë premtimet për të festuar me palestinezët anëtarësimin e tyre të plotë këtë vjeshtë në Kombet e Bashkuara dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, por për momentin, arabët nuk janë duke demonstruar kundër Amerikës
Muajt e kaluar kanë kaluar pa ndonjë demonstratë antiamerikane dhe pa djegien e flamujve amerikanë në botën arabe. Arabët duket se po e pranojnë me të madhe – madje edhe po e përshëndesin – politikën e administratës Obama për rajonin.
Natyrisht se arabët vazhdojnë të jenë të zemëruar me njëanshmërinë e SHBA-së karshi Izraelit. Paaftësia e këtij shteti që t’i japë fund okupimit 44-vjeçar të tokave palestineze nuk ka kaluar pa u vërejtur. Megjithatë, shumica e arabëve preferojnë që të mos ia hedhin më fajin vetëm SHBA-së. Me përjashtim të vendosmërisë së administratës Obama për ta dënuar trajtimin e protestuesve nga regjimet aleate amerikane në Bahrejn dhe Jemen, qëndrimi amerikan në revoltat arabe ka qenë i mirëpritur.
Arabët, në veçanti të rinjtë arabë, që përbëjnë shumicën e popullatës së rajonit, marrin si shembull Amerikën për ndikimin e saj global, si dhe normat demokratike e vlerat. Në këtë shtet ekziston një respekt i veçantë për konceptin e sundimit të ligjit nga dhe për njerëzit, derisa Kushtetuta amerikane garanton lirinë e të shprehurit. Pikërisht dështimi për të zbatuar vlerat e tilla në vendet si Palestina dhe Iraku kanë ndikuar që arabë të shumtë të bëhen antiamerikanë.
Zgjedhja e presidentit Barack Obama, dy vjet më parë, tronditi në aspektin pozitiv arabët dhe u dha shtytje të madhe demokratëve arabë, të cilët këtë e konsideronin si dëshmi të natyrës së vërtetë demokratike amerikane. Fjalimi i Obamës në Kajro, i bërë në një nga udhëtimet e tij të para jashtë, premtonte një fillim të ri amerikano-arab, duke u dhënë gjallëri të madhe demokratëve arabë.
Megjithatë, sprova e parë për udhëheqësinë e Obamës zhgënjeu shumë arabë. Vetoja e SHBA-së ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit – e mbështetur nga 14 anëtarët tjerë të këshillit – për të kundërshtuar kolonitë hebreje, duket se sinjalizonte që Obama ka rënë pre e presionit të lobit proizraelit në SHBA. SHBA-ja ende nuk e ka ndryshuar politikën e vet, madje edhe pasi që i biri i një imigranti afrikan tani është banor i Shtëpisë së Bardhë.
Një qëndrim më pozitiv rreth Obamas u shpërfaq kur revoltat arabe filluan në Tunizi dhe Egjipt – shtete me regjime proamerikane. Derisa SHBA-ja fillimisht u dëshmua si e matur dhe e kujdesshme, ajo shumë shpejt e kuptoi se revoltat në të vërtetë pasqyronin vullnetin e popullit dhe veproi në pajtim me parimet e veta pro-demokracisë.
Po të njëjtit njerëz të cilëve Obama u kishte bërë thirrje gjatë fjalimit në Kajro që të kërkojnë demokraci tashmë kishin formuar një lëvizje të rëndësishme paqësore. Të rinjtë arabë më në fund kishin vepruar dhe Obama me ekipin e tij bënë deklaratat e duhura për t’u dhënë atyre zemër, duke ua bërë të qartë në të njëjtën kohë regjimeve egjiptiane e tuniziane se nuk mund të fshihen më prapa pohimit se po e luftonin luftën e Amerikës në veri të Afrikës.
Megjithatë në Libi nevoja ishte e ndryshme. E njëjta energji që u shfaq në Tunis dhe Kajro ishte evidente edhe në mesin e të rinjve libianë, por kësaj here, Amerika nuk kishte mundësi të bënte shumë në aspektin diplomatik, sepse nuk kishte lidhje me kolonelin Muammar Gaddafi.
Prandaj, nuk është e papritur që energjia e rinisë libiane çoi Gaddafin drejt përdorimit të brutalitetit kundër tyre. Madje ai pagoi edhe mercenarë. Amerika kishte përgjegjësi të mbronte të rinjtë të cilët i kishte trimëruar Obama. Ishte e nevojshme edhe një tjetër lloj ndihme, por mënyra se si duhej të bëhej ishte shumë më e ndërlikuar.
Vendet arabe, veçanërisht Egjipti, kishte qindra e mijëra shtetas që punonin në Libi. Qeveria e tyre i shihte ata si pengje të Gaddafit. Por çfarë shtetet arabe nuk mund ta ofronin nëpërmjet mbështetjes ushtarake, ishin të aftë të ofronin mbulesë politike për ndërhyrje të prirë nga SHBA-ja, Britania dhe Franca.
Vendet e Gjirit, të cilat nuk kishin shtetas të tyre duke punuar në Libi, ishin të parat që denoncuan Gaddafin. Pastaj Liga Arabe ndoqi prirjen e shteteve të Gjirit. Me shumë të rinj arabë duke protestuar jashtë zyrave libiane në Kajro dhe mbështetjen në rritje për vëllezërit libianë, Liga Arabe mori një pozicionim të pazakonshëm për të u pajtua të denonconte një lider arab. Nuk ka dyshim se bota arabe ishte duke ndryshuar, dhe SHBA-ja më nuk ishte një armike, por një mike.
Pas marrjes së mbështetjes së Këshillit të Sigurimit, SHBA-ja, Evropa dhe disa vende arabe nisën të bënin atë që saktësisht pritej nga bashkësia ndërkombëtare kur një qeveri përgatitet të masakrojë qytetarët e vet: parandalimin e masakrës.
Natyrisht, problemet e Amerikës me arabët dhe sfidat e saj në Lindje të Mesme janë larg prej zgjidhjes. Obama ende duhet të përmbushë premtimet për të festuar me palestinezët anëtarësimin e tyre të plotë këtë vjeshtë në Kombe të Bashkuara dhe tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Por për momentin, arabët nuk janë duke demonstruar kundër Amerikës. Në vend të kësaj, me ndihmën e Amerikës, ata po gëzojnë valën e parë të lirisë.
Autori është menaxher i përgjithshëm i Rrjetit të Bashkësisë së Mediave në Aman, dhe ish-profesor gazetarie në Universitetin Princeton. Komenti është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë, “Project Syndicate”