E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ne do të zhvillojmë fushatën e vlerave të vërteta demokratike”

14-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha prezanton në Lushnje dhe Divjakë, kandidatët Albert Sanxhaku dhe Irakli Goreja

Kryeministri Sali Berisha ishte dje paradite në Lushnje ku prezantoi Albert Sanxhaku si kandidat të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetar të bashkisë së Lushnjës dhe  Irakli Goreja si kandidat për kryetar të bashkisë së Divjakës.
Në prezantimin e tyre, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt që ata do të paraqesin për një jetë më të mirë të qytetarëve të këtij rrethi dhe për shërbime sa më të mira e cilësore për ta. Në këto vite, u shpreh kryeministri, në rrethin e Lushnjës është investuar 14 herë më shumë sesa është investuar në tetë vitet e qeverisjes socialiste, janë ndërtuar 210 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 27 shkolla, janë investuar 13 milionë euro në ujësjellësin dhe kanalizimet e Lushnjës, janë ndërtuar 33 ujësjellës në fshatrat e saj dhe 20 milionë euro janë investuar në sistemin energjetik të Lushnjës.
“Vij këtu, për t’u zotuar para jush se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Albert Sanxhaku, të Irakli Goresë, të kryetarëve të komunave tuaja, për të lehtësuar jetën tuaj, për të përmirësuar jetën tuaj dhe për të mundur që mundi, djersa, puna juaj të marrë gjithnjë e më shumë shpërblimin që meriton. Do të bëjmë gjithçka që këto katër vite Lushnja të shndërrohet në një kryeqendër moderne, në Lushnjën e zhvilluar, Shqipërinë vend i zhvilluar. Do të bëjmë çdo gjë që në këtë qytet të gëzoni shërbimet më të mira, të gëzoni infrastrukturën e cilësisë më të lartë, të shndërrohet në një qendër të vërtetë universitare. Do të bëjmë gjithçka që Lushnja të jetë, gjithashtu, një nga qendrat më të rëndësishme turistike të Myzeqesë dhe të mbarë Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve qeveria ka investuar në rrethin tuaj 14 herë më shumë sesa është investuar në tetë vitet e qeverisjes socialiste. Kemi ndërtuar në këtë 210 kilometra rrugë, nga të cilat 103 kilometra rrugë kombëtare dhe 107 kilometra rrugë rurale. Jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se në katër vitet që vijnë në rrethin tuaj nuk do të ketë qoftë edhe një kilometër rrugë të paasfaltuar. Në vitet që shkuan, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në këtë rreth 27 shkolla. Jam sot për t’u zotuar se në katër vitet që vijnë në Lushnjë do të ndërtohet dhe rindërtohet çdo shkollë që është e nevojshme apo që ekziston në këtë rreth. Kemi subvencionuar 550 hektarë dru frutorë dhe sera. Ju garantoj se në katër vitet që vijnë do të subvencionojmë edhe 2 mijë hektarë të tjerë për fermerët e Lushnjës.
Kemi investuar 13 milionë euro në ujësjellësin dhe kanalizimet e Lushnjës. Kemi ndërtuar 33 ujësjellës në fshatrat e saj. Ujë 24 orë për Lushnjën, komunat dhe fshatrat e saj do të jetë motoja e katër viteve që vijnë. Investuam 20 milionë euro në sistemin energjetik të Lushnjës”, u shpreh kryeministri Berisha. 
Berisha garantoi banorët se në katër vitet që vijnë do të investojmë në çdo qelizë, në çdo fshat dhe në çdo lagje për një infrastrukturë ndër më modernet, më europianët. Në katër vitet që vijnë do të ndërtohet edhe godina e re të Fakultetit Bujqësor të Lushnjës, rruga hyrëse Plug - Lushnje, rruga Plasmas - Karbunarë, rruga “Sabri Kosturi” që e lidh me autostradën, si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.
Duke ritheksuar se qytetari është në epiqendër të kësaj fushate, Kryeministri Berisha i ftoi shqiptarët që në këtë fushatë të mbajnë parasysh, të kenë për yll polar moralin qytetar dhe të shmangin çdo tension, çdo përplasje, të zhvillojnë fushatën më të qytetëruar, fushatën e vlerave të vërteta.
“Këtë fushatë le ta shndërrojmë në fushatën e alternativave, tu japim atyre mundësinë të zgjedhin jo midis projektit për ta dhe sharjes, jo midis projektit për ta dhe fyerjeve, sepse ato janë që të gjitha dëshmi e një dëshpërimi të thellë, dëshmi e një varfërie ekstreme në argumente, e një varfërie ekstreme në vizion, në parashikim, por edhe një mungesë e madhe respekti për qytetarët e tu. Kalon nga një qytet në një tjetër dhe u thotë qytetarëve se kryetar bashkie ka qenë Sali Berisha. Në Tiranë u tha se nuk ka qenë Edi Rama, në Elbasan u tha ka qenë Sali Berisha, në Vlorë u tha ka qenë Sali Berisha. More zotëri, qytetarët kanë votuar dhe e dinë se për kë kanë votuar. E dinë se kanë votuar për kryebashkiakët e tyre. Ti mund tu thuash sa të duash se ka qenë Sali Berisha, por ata duan projekte, ata duan zgjidhje. Ndaj dhe e kanë vendosur në mendjen e tyre, po presin me padurim 8 majin, në mënyrë që të të japin edhe fundin e ri që meriton”, deklaroi më tej kryeministri Berisha para qytetarëve të Lushnjes.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›