Kthimi i atij gushti...
Qazim D. SHEHU
1.
Arsen Marku po kthehej në vendlindje, pas kaq vitesh. Nuk kishte lajmëruar as vëllanë, as nënën. Makina e tij e shtrenjtë tronditej rëndshëm nëpër gurët e kalldrëmit të rrugës. Peizazhi me kodrat me dushk, lumi gjarpërues, i dukeshin tjetërsoj. Tisi i mallit ia bënte më të panjohura, më tërheqëse. Kur u afrua te Kodra e Thatë, ndali makinën, ndezi një cigare. Gjer aty e kishte përcjellë nëna para disa vitesh, duke iu lutur me lot në sy të kishte kujdes. Si tani i kujtohej ai përqafim i butë, i ngrohtë i nënës.
Sa duhet të jetë plakur, mendoi ai vetëtimthi, ndërsa e hodhi bishtin e cigares përfund një rrase guri. Mendimet i vibronin nëpër fije kujtimesh, ai ndjente një tëkurrje të ëmbël përmes një pafuqie inaktive, që lëvrinte nëpër gjymtyrët e tij. Ndezi makinën dhe u nis. Ishte herë e parë që këto kthesa të Kodrës së Thatë i bënte me makinën e vet. Dikur s’kishte makina, furgonët rrallë vinin këndej dhe njerëzit e vendlindjes, të cilët ai i quante njerëz mitologjikë, gati vraponin duke ecur me ngut kthesave gjarpëruese të kodrës, për të kapur orarin e nisjes së autobusit pak më tutje, në qendër të komunës. Dhe kështu gjithnjë, ndoshta edhe sot.
Kur zbriti në luginë, aty ku niste rruga drejt për në fshatin e vet, pa burimin, një gurrë e vjetër që e mbante mend mirë. Ndaloi, mori në kroskot një shishe plastike dhe u nis drejt saj. Gurrën e kishin rregulluar me mure betoni, prej nga dilnin tre gypa me ujë. Ai e hodhi tej shishen, lau duart, bashkoi dy pëllëmbët në formë kupe, i mbushi me ujë dhe piu. Kështu i jepte ujë nëna atëherë kur ishte i vogël, dhe ai e bëri këtë përqasje. Uji ishte i ftohtë, akull, vapa gumëzhinte deri në hijesinën e pemëve të mëdha.
Ndjeu lehtësim dhe u nis drejt makinës. Por kur ktheu kokën për të parë edhe njëherë burimin, thua se ai po i çuçuriste ndonjë fjalë, papritur vuri re një ndërtesë të bardhë njëkatëshe, pak metra më tutje. Duhej të ishte ndonjë lokal, se në bahçen me mana kishte disa stola, tavolina prej dërrase dhe dy tenda të sajuara me plastmas. Nuk do të ishte keq që, pas atij freskimi, të pinte një kafe, pastaj të nisej. Lokali e kishte derën gjysmë të mbyllur dhe Arseni, jo pa drojë, e shtyu ngadalë, sikur të hynte në ndonjë shtëpi. Sa u habit kur pa prapa banakut Buken, ish-shoqen e vet të fëmijërisë dhe të dashurën e rinisë së hershme. Ndoshta, në ato çaste do t’i kishin ngrirë fjalët në buzë e s’do kishte ditur ç’të thoshte, po të mos buzëqeshte ajo e para. Ishte vërtet Bukja e dikurshme, e gjatë, elegante, me flokë të lëshuar gjer në mesin e kurrizit, me sy të kaltër natyralë e ballë të lëmuar. Faqekuqe si mollë e vjeshtës së vonë, mendoi..
- Buke, - tha ai, - sa gëzohem që të shoh.
Bukja e pa edhe njëherë me kujdes, u mëdysh pakëz, pastaj foli:
- Mirë se erdhe!
2.
Në Greqi kishte pasur rast të shkonte me femra, të zakonshme, të mira e të sprovuara. I kishte njohur në të tjera mjedise, siç thuhet, modern. Por prania e befasishme e Bukes i ra atij në kokë dhe i solli një vetëzgjim të kujtesës. Ku nuk kishte vajtur me Buken, në pyll e në ara me misër, s’kishte lënë cep lëndine pa matur me kurrizin e saj; me një zjarr të vetvetishëm kishte ngrohur premtimet për të. Ai bëri një turrje instiktive për ta përqafuar, por Bukja i vuri dorën përpara, duke krijuar një distancë penguese si masë sigurie.
- Jam e martuar, - tha. - Pastaj, në lokal…
Arseni u ul në një tavolinë andej nga fundi. Në lokal s’kishte njeri dhe ishte fresk. Bukja e la dëfterin me të cilin, me gjasë, ishte marrë aq kohë, iu afrua tavolinës së tij dhe i kaloi një leckë mbi siprinë. Edhe një herë Arseni përcaktoi me mendje se Bukja kishte mbetur po ajo. Faqekuqe, shend e verë, e gjatë dhe e kolme, e shkathët si drenushë. Atij i erdhi mirë për këtë dhe i tha Bukës të ulej, ndërsa ajo e pyeti se çfarë mund të pinte.
- Buzët e tua, - qeshi Arseni me një afsh rinor.
- Kemi kohë për to, - iu gjegj Bukja, ndërsa bëri një rreth rrotullim të lehtë dhe i solli një dopio raki kumbulle nga të vendit, pak djathë, ullinj dhe qepë.
Arseni e ngriti gotën me ngadalë, uroi, piu, pastaj filloi ta pyeste për jetën e saj, duke i shprehur edhe një pezmatim të sinqertë për fatin e ndarjes. Bukja ishte martuar në këtë fshat, qëkurse Arseni iku në Greqi. Burri i saj rropatej gjithë ditën në mal duke djegur dru për qymyr, ndërsa ajo bënte vetë punët e tregtisë, furnizimet, priste e përcillte klientët, ndonëse njerëzit u rralluan, sikur të mos ishin rritur këtu. Bukja ishte e qetë, e kënaqur, dhe atij i vinte mirë se kjo qetësi ia kishte ruajtur bukurinë e dikurshme. Ai vuri re duart e saj të bardha, gishtat e gjatë e të hollë mbushur me unaza, byzylykët, varësen prej floriri në gushën e bardhë, poshtë së cilës teptisej një vijë e thellë midis gjinjve. Dhe, nën këtë bardhësi, kishte një zjarr që s’mund të flinte kurrë. Hiri i saj femëror vazhdonte të përpinte dëshira dhe lakmime. Atij iu duk sikur s’e kishte njohur kurrë dhe po e takonte për herë të parë. Guxoi dhe ia shtrëngoi dorën e bardhë. Bukja nuk e tërhoqi. Dora e saj ishte e ftohtë, ai ia tha këtë, por gjithë ditën në ujë, qe përgjigjja. Arseni ia shtrëngoi dorën më fort; atëherë Bukja e tërhoqi duke thënë se e kishte vrarë unaza. Arseni filloi të guxonte më tepër. Me dorën tjetër, ai preku gjinjtë e saj që ishin squllur pak. Bukja, lulëkuqe në fytyrë, bëri një vetëtërheqje të sprovuar, duke kthyer kokën nga dritarja.
- Vjen gjithnjë një njeri në këtë orë, - tha, - është një pijaneci i lagjes.
Pastaj zuri vend pas banakut, duke vënë dy bërrylat përsipër. Arseni u ngrit dhe bëri nga dera.
- Ku po shkon?! - pyeti Bukja, ndërsa ai kuptoi në fjalët e saj lëvrimin e një ankthi të beftë. Ajo pandehu se po ikte.
- Po shkoj të mbyll makinën dhe erdha, -tha ai.
Kur u kthye, Bukja ishte sërish te banaku. Arseni u fut pas banakut, vuri në raftet e tij tri shishe me uzo greke, një kampari, dhe deshi ta përpijë Buken në krahët e tij. Por gaboi. Ajo premtoi për më vonë, ndërsa ai digjej nga dëshira.
Kur bëri të ikte, Bukja iu lut të rrinte edhe ca. Zëri saj përgjërues ia zbrujti manovrën, dhe ai u ul sërish pranë tavolinës, duke porositur raki tjetër. Por, ndërkohë, Bukja po vinte me gotën në dorë, sikur ta kishte kuptuar se ai e donte shpejt. Ajo u ul pranë tij. Arseni pati ndjesinë se goja e saj lëshonte frymë dhe avull. Për këtë i erdhi mirë, ndjeu siguri dhe vala e trysnisë ndjesore i shtohej në vetvete. Ai e kuptoi se çdo veprim i ngadalshëm nuk do kishte kuptim, prandaj ia çoi dorën rrëzë kofshës, duke ia fërkuar. Ajo u përpoq të bënte prapë një tërheqje, por nuk mundi, sepse e ulur aq pranë, ose duhej të ngrihej të ikte, ose t’i bindej. Veçse e gjeti një mënyrë që ai ta largonte dorën nga vendi i fshehtë.
- Dikush po vjen, - murmuriti.
Kjo fjalë e bëri Arsenin ta tërhiqte dorën shpejt, por edhe Bukja u ngrit rrëmbimthi, duke dalë vrik te dera. Ishte një fëmijë i vogël, që kërkoi një çokollatë. Arseni i tha të mos ia merrte lekët, madje u ngrit vetë dhe, përveç çokollatës, ia mbushi duart fëmijës me biskota e karamele.
- ǒmë bëre, - tha Bukja, - prit kur të vijnë edhe fëmijët e tjerë këtu! – Dhe, pa e zgjatur, kaloi brenda banakut për të rregulluar disa mallra që kishin rënë përtokë.
Gjithnjë në tavolinë, Arseni i erdhi dopio e tretë. Ai e piu me ngut. Kishte dëshirë të pinte atë ditë. Ishte rindezur nga pija dhe dashuria. Gjithnjë e më tepër ajo buzëqeshja e bardhë, torturuese, që ndriste në fytyrën lulëkuqe të Bukes, po e sëkëlldiste. Në gotën e nuk po mendonte më, por veç i tha Bukes se dëshironte të paguante. Nxori portofolin e fryrë dhe pagoi njëqind euro.
- Janë shumë, - tha ajo.
- Jo, janë pak, - tha ai, duke i zgjatur edhe njëqindshe tjetër.
3.
Ishte mbasdite e vonë, kur Bukja i tha se mund të dilnin jashtë, në tavolinën e verandës së lokalit. Dielli me kohë e kishte fshehur syrin në malin përballë, hijet e pemëve dhe të drurëve ishin njëtrajtësuar, duke u theksuar e humbur në trashjen e muzgut.
Ai e përfshiu me krahë, e shtrëngoi fort dhe ajo nuk lëvizi. Por Arseni ndjeu se ishte i pafuqishëm për të vepruar. Kur doli në ajrin e pastër, ndjeu njëfarë lehtësim, megjithatë i vinte të përzier dhe u ul në karrige si i lëshuar. Me atë lëvizje, pa dashur, derdhi gotën e rakisë mbi pjatë. Po atë çast, mbështeti kokën mbi tavolinë sipër bërrylave. Bukja s’dinte ç’të bënte.
Vonë, kur erdhi i shoqi aty, Bukja i tha se atë ditë ia kishte kaluar mirë, ishte lodhur ca, por sidoqoftë puna s’kishte ecur keq.
Ndërsa përgatiteshin për ta mbyllur lokalin dhe po fusnin brenda karriget e verandës, befas ai pa në tavolinë një njeri që gërhiste.
- Po ky? - pyeti.
- Një i dehur,- i tha ajo qymyrxhiut, - ka pirë shumë.
- ǒtë bëjmë me të?
- Asgjë… do t’i dalë rakia dhe do ikë vetë.
Kur burrë e grua u nisën drejt shtëpisë, Arseni ende gërhiste mbi tavolinë. Ishte natë gushti dhe ndiheshin nga larg lehjet e qenve. Vetëm nga ora katër e mëngjesit, Arsen Marku u zgjua. Ndjehej i dërmuar. Në fillim nuk kuptoi se ku ishte, në errësirën e pemëve ndjeu frikë e trishtim. Por shpejt risolli në mendje gjithçka.
17 Gusht 2009