Kthimi i çamëve në kufi, Tahiri: Greqia t’i thotë "mjaft" veprimeve fashiste

Deputeti Dashamir Tahiri ka reaguar sot lidhur me kthimin e qytetarëve çamë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Me indinjatë të thellë vazhdojmë të marrim lajme për kthimin në vijimësi të qytetarëve shqiptarë me origjinë çame në kufijtë grekë. I kërkojmë Greqisë të bëjë sforcot e nevojshme, të respektoj konventat dhe rregulloret europiane, te respektoj traktatet e fqinjësisë së mirë dhe mbi të gjitha le të sforcohet të tregojë që mishëron ndonjë vlere apo aspiratë europiane për të cilat me kot pretendojnë që i mishërojnë në mendësinë dhe sjelljen e tyre të përditshme”, thuhet në deklaratën e deputetit Tahiri. Në reagimin zyrtar të deputetit të PDIU, Tahiri tha se qeveria greke, para se të japë udhëzime se kush duhet të hyjë në kabinetin qeveritar e kush jo, duhet të heqë dorë nga veprimet fashiste, pasi e drejta e qytetarëve çam për të vizituar trojet e të parëve të tyre, është një e drejtë themelore dhe e pamohueshme. “I bëjmë thirrje Ministrisë së Jashtme Greke që përpara se të na japë leksione se kush duhet të hyjë apo jo në qeverinë shqiptare, të marrë masa për të eliminuar përfundimisht këto veprime fashiste kundër pleqve të pafajshëm që nuk kërkojnë gjë tjetër veç të shikojnë edhe njëherë shtëpinë ku kanë lindur dhe ku të parët e tyre kanë jetuar. I kërkojmë Ministrisë së Jashtme Greke që ndoshta mund të na ndalojnë për të vizituar pjesë të tjera të Greqisë, por Çamërinë vendin ku të parët tanë kanë lindur, janë rritur e kemi akoma varret e tyre mos ta konsiderojnë si territor ‘off limits’ për ne, sepse ajo është shtëpia jonë më shumë se e kujtdo tjetri. I bëjmë thirrje Ambasadorit Grek në Tiranë që përpara se të jap intervista dhe të identifikoj qëllime të mbrapshta te raportimet e mediave tona në lidhje me Greqinë, të bëjë një analizë e ti thërrasin pak logjikës se çfarë incidenti diplomatik do të ndodhte nëse në atë kufi do të ndalonin ndonjë qytetar gjerman, francez apo amerikan. I bëjmë thirrje ministrit tonë të Jashtëm të reagojë për incidente të tilla, të marrë përsipër detyrat dhe përgjegjësitë që i takojnë për të garantuar të drejtat e qytetarëve shqiptarë që Bashkimi Europian me të drejtë ua ka dhënë”- tha ai. Tahiri i kërkoi PDIU-së, forcës politike që mbron interesat e komunitetit çam, të mos vonojë në nisjen e Çështjes Juridike, si zgjidhja e vetme e problemeve të çamëve. “Kërkoj nga PDIU të nisë më në fund procesin dhe të mos zvarrisë me nisjen e Çështjes Juridike për zgjidhjen e problemit çam se çdo ditë e humbur është ditë ku dhjetëra e mijëra vëllezërve tanë u mohohen të drejtat themelore të njeriut, u mohohet lëvizja e lirë, njohja dhe disponimi i pronës dhe diskriminohen veç për faktin e vetëm që janë shqiptarë çam të Çamërisë. Çdo impenjim tjetër dytësor që na devijon nga objektivi ynë parësor veç e zhbënë kauzën dhe qëllimin e krijimit të partisë sonë. Ndaj i bëj thirrje të gjithëve të fokusohen dhe të merren së pari me zgjidhjen e halleve dhe problemeve që komuniteti ynë ka e pastaj me ç’të jetë tjetër e nevojshme për ta”. Gjithashtu, deputeti Dashamir Tahiri iu përgjigj edhe një replike të kryetarit të Shoqatës Çamëria. “Dhe në fund i bëj thirrje Kryetarit të Shoqatës Patriotike Çamëria, që vazhdon të rrijë edhe pse i ka përfunduar mandati prej 3 vjetësh në karrigen e uzurpuar prej tij, që të paktën të ketë kurajo të dalë e të bëjë deklaratat e nevojshme, të vizitojë qytetarët çam në fjalë dhe të sigurohet që një gjë e tillë nuk do të ndodhë më. I kërkojmë që nëse nuk gjen kohë apo kurajo të bëjë diçka të tillë, le të vazhdojë t’i përkushtohet postit të pa drejtë të zëvendës ministrit që përfitoi dhe t’i hapë rrugën djemve dhe vajzave çame që kanë zemër dhe përkushtim për t’i dalë për zot komunitetit dhe për t’i bërë ballë kujtdo shteti që na mohon të drejtat tona. Çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar e ndihet i tillë nuk duhet të pranojë më këtë lloj diskriminimi me pa të drejtë dhe duhen gjetur të gjitha rrugët politike, ligjore dhe administrative që këto histori të shëmtuara të jenë pjesë e të kaluarës e jo të ardhmes sonë”.
...