Respekti për fjalën e shkruar dhe jo të bërtitur
Skenari i zymtë i njerëzimit të droguar, që ndihet i gjallë vetëm për shkak se konsumon lajmin e pandërprerë që pas tre minutash nuk do të llogaritet më, më bën të besoj se kjo është një droge e keqe dhe konformiste. Kështu përgjigjej romancieri më i njohur amerikan Jonatan Franzen, autor i romanit të njohur Freedom, pyetjes mbi ndikimin e rrjeteve sociale. Për shkrimtarin Franzen rrjetet sociale janë të kota, dhe se “tuiter është versioni budalla i facebook-ut”.
Rrjeti social “tuiter” për nga përdorimi është më pak i njohur në Shqipëri, paçka se është rrjeti social më i përmendur në raportimet e medies vendase për shkak të përdorimit të kësaj platforme teknologjike nga kreu i opozitës, Edi Rama, që e ka kthyer në një foltore politike (skematike dhe partizane) pa marrë pasojat e konsumit të zërit dhe figurës. Gjithsesi me 140 shkronja që të jep mundësi kjo platformë teknologjike mund t’u japësh “ndjekësve” një sintezë të gjendjes shpirtërore apo mendjes, por vështirë se komunikon një mendim apo analizë të një fenomeni. Rrjetet sociale në internet kanë “mëkatin” e zanafillës të qenies me gjuhë binare, o x ose y apo o 0 ose 1, pra, tezë e antitezë. Aty brenda refuzohet dialektika e komunikimit për shkak të ngutjes dhe shpejtësisë për të thënë pa menduar. Sidozot nuk ka arsye pa lodhjen për të kuptuar.
Prandaj shumë analistë kanë qortuar këtë formë komunikimi të liderit të Partisë Socialiste. Madje një dashamirës i filozofisë, Ndriçim Kulla, shkruante në një shkrim të para do kohësh për “një reduktim tuiterin të opozitës”. Sipas z. Kulla “tani axhendën e mediave kanë filluar ta udhëheqin twitter-at e shkurtër, shumë origjinalë në batuta, por shumë mjeranë në artikulime të dobishme alternativash, me të cilat opozita “bombardon” edhe disa herë në ditë lajmet. Tek e fundit, si mund të artikulohen alternativa në një zonë kaq të ngushtë mesazhesh? Si mund të kërkosh gjëra të tilla në një rrjet që aq shumë e duan edhe sportistët apo njerëzit e spektaklit, që shquhen të mos kenë kohë të mjaftueshme për veprime medituese”.
Kuptohet vetiu dy njerëzit e kulturës së mendimit që përmenda më lart, në thelb, po thonë të njëjtën gjë mbi: përdorimin e ngutshëm dhe impulsiv të fjalës. Domethënë përparësia e emocioneve ndaj arsyes. Në rastin specifik të rrjetit social “tuiter” ajo që bie në sy në këtë medium është formula (shkurt plus shpejtësi) e shkurajimit të mendimit më të strukturuar dhe më adult. Rrjeti social “tuiter” ka defektin e sipërfaqësorisë dhe ankthimin për t’u dukur dhe nënvlerësimin e avantazheve si sintezë, shpejtësi, dhe pjesë e një debati simultan, si një shahist që luan shumë lojë njëkohësisht.
Sigurisht vetëm një budalla mund të mohonte funksionin e madh që rrjetet sociale, në përgjithësi internet, ushtrojnë në jetën e përditshme të botës: sidomos kur shikojmë impaktin që kanë pasur këto mediume në ndezjen e pranverës arabe apo “rebelimin” ndaj regjimit teokratik të Iranit.
Megjithatë në këtë radhë po përpiqet të vë në dukje që fjala nuk duhet të bjerë pre e obsesionit për të komunikuar (edhe pse komunikimi po bëhet fetish i epokës sonë). Kam mendimin që fjala duhet të pasurojë diçka, të përmirësojë atë çka është thënë. Me një llaf komunikimi i mjaftojnë parullat, kurse kulturës i duhet medoemos arsyetimi. Fjala pa arsye është e pakuptimtë sepse i shërben urgjencës për të komunikuar një “gjendje” dhe jo një “zgjidhje”.