Kthimi i kohës ose Takohemi pas shiut
Ka qenë një periudhë e gjatë në qytetin e Gjirokastrës, kur ne gazetarët dhe letrarët në rini të parë, të këtij qyteti në vitet 1980 deri në vitet 90-të bënim një ndarje të gjeneratave të krijuesve që kishte qyteti. Ishte një vijimësi e përhershme, brenda së cilës nuk e kuptonim se ku zhbëhej dhe ku tejkalohej klasifikimi i menduar vetiakisht.
Por në atë periudhë në Gjirokastër, ishte e plotë galeria. Kishte një konkurim cilësie dhe botimi, i cili ndonëse nuk i shmangej dot kriterit të vendosur nga regjimi për numrin e botimeve, në vlerën tekstuale të vet, bënte diferencimin.
Autorë të rëndësishëm të letërsisë shqipe, por edhe individualitete të punës multikulturore, e bënin këtë qytet dhe arenën letrare të tij, të preferueshme e të lakmueshme për brezat e rinj. Unë isha një ndër këta të zellshëm dhe si i tillë me gjykimin tim të pashfaqur publikisht, kur tentoja të përcaktoja shkrimtarin Mihallaq Qilleri, novelat dhe romanet e tij, ndër më të bujshmit pas viteve 1980 në Gjirokastër dhe në mjedisin letrar të Shqipërisë, Jetë dhe dashuri, Në vitet shtatëdhjetë,Kristali blu, Një vjeshtë me Elian, apo përmbledhjet me tregime dhe novela si Robi i malit të argjendt, Shkëlqimi i borës etj., gjendesha në ngasjen e shprehur aq mirë te eseja e Tomas Eliotit Cfarë është klasik?
Natyrisht, kjo ngasje e imja respektonte perimetrin e mejdisit letrar në të cilin unë po formohesha, por që tentoja edhe falë shkollimit për të njohur hemisferat e tjera të letërsisë. Eliot në esenë e cituar duke iu referuar përvojave sipërane të letërsisë globale në raport me diskutimin se e para është poezia apo proza, sjell qasjen e vet, në një pasazh të së cilës shton: në kohën kur Anglia kishte arritur mrekullira në poezi, proza e saj ishte relativisht e papjekur, mjaftueshmërisht e zhvilluar për qëllime të caktuara, por jo për të tjera. Në po të njëjtën kohë, kur gjuha franceze nuk premtonte shumë për poezinë, proza e saj ishte më e shkëlqyera…
I përballur me lajmin e Mihallaqit për sjelljen e librit të parë me poezi Takohemi pas shiut në vitin 2012, të them të drejtën u gjenda sërish në ngasjen eliotiane. Eshtë dominues mendimi, madje konfirmimi i fundit është ai i Kadaresë apo Mimoza Ahmetit se nga poezia ka një ikje dhe asaj po i gjegjet një lexues numerikisht në rënie në krejt hapësirën. Por sic thoshte Balzaku, në marrëdhënien me letërsinë dhe ardhjet e saj, nuk ka të thëna dhe të mbetura absolute.
Libri i ri me poezi i Mihallaq Qillerit është një kazus i këtij arsyetimi të pambarimtë. Por është rasti shtesë i një kazusi në raportet e shkrimtarit me gjinitë. Kapërcime të tilla janë një fenomenologji njerëzore dhe krijimtarie që shqyrtohen së bashku me autorësinë.
Poezia e librit Takohemi pas shiut, është një takim i beftë i lexuesit të shkrimtarit me vetë autorin. Po, është një takim i ri ndër të përhershmit. Si i tillë ai është sfidant. Jo vetëm për rishfaqjen në gjininë tjetër të letërsisë, por për shkak se poezia e shkrimtarit, në rastin në fjalë është poezi e poetit.
Më mbaj të ri, të lutem, deri në frymë të fundit,
Më ndrico shpirtin deri sa të vdes,
I varfër jam me një jetë të ta shpërblej
As dhjetë të tilla nuk do të arrinin, për besë!
(Dhe të ndjek…)
Poezia e sjellë në këtë libër, është poezi e një stili të përbashkët, sic mund të shprehej Elioti e cila e mbart raportin e vetiakes me universalen të dallueshëm në substancën e vet, në tërësi. Për këtë arsye kjo është një poezi që spikat për vecanësitë e saj të ndërkallura mes gjuhës dhe morfologjisë poetike dhe mendimit si peshë specifike, analizës dhe filozofimit si akt i pastër në refleksionin dhe qasjet poetike të autorit. Kur një vepër letrare, përtej asaj pasurie në përmbajtje në lidhje me gjuhën e tij, ka rëndësi të njëjtë në lidhje me disa letërsi të huaja, mund të themi se ka universalitet. Ky konstatim eliotian mishërohet edhe në poezitë më peshuese të librit të autorit. Poeti në këtë libër është jo vetëm ikanaku energjik në jetën vetiake, por vëzhgimtari që misionin e optimizmit njerëzor e ka cadër të madhe për fatalitetin qe është i paqenë te shpirti i poetit, edhe pse është pjesë e ciklit natyral të njeriut, si qenie. Kapërcimi tejpamës dhe tejgjykues i tij, edhe kur gjendet në gremina apo thellësi malesh, është vërtet veti gjithëspikatëse në këtë libër. Poezia greminat…, ka këtë strofë për fund të saj:
Ne pas shpine shohim gjithnjë
Vitet e mëdha- një trup, një shpirt
Përpara gremina e nëndheshme
Nuk na tremb…hic.
Raportin e tij me hapësirën dhe sidomos meditacioni kozmogonik i poetit, është i pashqitshëm nga pika unike e referimit, toka dhe jetësia në të. Në poezinë Eklipsi Qilleri i drejtohet heroinëzës lirike:
Harrove, zonjë, një gjë fare të vogël
Duke kryer një reng midis nesh,-
Të fshiheshe pas meje si një gogël,-
Vdiqe nga drita që të bënte mbretëreshë…
Ky varg i fundit, do të ishte i preferueshëm për autorësi prej cdo poeti.
Oktavio Paz shprehet diku se: Rrojmë në një kthim të kohëve: jo një revolucion, por me kuptimin e vjetër dhe të thellë të fjalës, një kthim. Një kthim në themele që është, gjithësesi, një kthim kah fillimi.
Në librin me poezi të Mihallaq Qillerit ky konstatim bëhet i ripohueshëm. Sepse raporti me të vërtetat e autorit është i ekspozuar bukur dhe jo vetëm estetikisht, por përmbajtësisht , në shumicën e poezive të këtij libri. Kjo është bërë e mundur në sajë të devizës vetiake të tij e cila si brumosje deduktohet në vargun e poezisë Zhgënjimi….E vërteta është fryma, shpirti gjithësesi…
Në lëndën tekstuale të librit Takohemi pas shiut kanë disa koncepte dhe fenomene shqueshmërinë e tyre. Së pari e kam fjalën për shqueshmërinë e asaj lënde që dallon edhe në jetën reale njerëzore autorin, e cila është dashuria dhe jetëdashja. Kontrasti mes dy hemisferave klasike të së jetshmes dhe vdekësisë, mes së ardhmes dhe vdekjeshkuarës, mes kohës së ndjerë dhe kohës fatalisht të shkueshme, autori qëndron preferencialisht dhe shpirtërisht në kohën e vet të shpirtit pa moshë. Ky libër është një album i tillë i kontrasteve të përjetimit dhe sjelljes, i adhurimit dhe të shprehurit, i burrit në kohën e peshës së plotë dhe i qiellorit pa moshë. Për këto arsye dhe sidomos për të pathënat e pamundura për tu thënë në kaq tekst, personalisht do ta mbicmoja natyrshëm përgjërimin e tij poetik në vargun:
Më mbaj të ri, të lutem, deri në frymë të fundit
Më ndrico shpirtin deri sa të vdes,
I varfër jam me një jetë të ta shpërblej! …
Ky lloj përgjërimi është i lashtë sa homosapiensi i poezisë, por në kohën tonë, në rastin e një kohe si jona, kur rithuhet nga një zotëri fjale si Mihallaq Qilleri, ajo semantikisht bëhet edhe më e çmuar.