Prishtinë, In memoriam për Bekim Fehmiun
Në ambientet e Kinemasë ABC në Prishtinë, të shtunën është hapur ekspozita Bekim Fehmiu pasuria e humbur në heshtje. Në ekspozitë u paraqitën fotografi, skena dhe thënie të aktorit Bekim Fehmiu.
Elbert Krasniqi, koordinator i Agjencisë për Demokratizim Lokal në Kosovë, organizatore e këtij evenimenti kulturor, ka thënë se qëllimi i organizimit të kësaj ekspozite ka qenë që gjeneratat e reja të dinë, të njoftohen më shumë për jetën, prejardhjen dhe veprën e madhe të aktorit që i ka tejkaluar kufijtë e një shteti.
Më 1 qershor është ditëlindja e 76 e Fehmiut, ndërsa më 15 qershor bëhen dy vjet që kur ai i dha fund jetës së tij. Emocionet e saj janë shtuar edhe më shumë, pasi e gjithë hapësira e hollit të kinemasë ka qenë e mbushur me fotografi që shpërfaqin jetën dhe veprën e aktorit Bekim Fehmiu. Madje edhe në ekrane janë shfaqur filmat ku ai ka luajtur.
Të gjitha këto kanë qenë pjesë e ekspozitës Bekim Fehmiu – pasuria e humbur në heshtje, e cila është hapur për të dytën herë në Kosovë. Në janar të këtij viti, ajo është hapur në Pejë. Krejt kjo ka bërë që Branka Petriq të përlotet kur ka nisur të flasë për atë se çfarë ndjesie i jep kjo ekspozitë. Ka filluar rrëfimin e saj duke u kthyer pas në 2010-n, disa ditë pas vdekjes së Bekim Fehmiut.
Pata hyrë në kinema dhe gjithçka ishte në frymën e Bekimit. Isha e shqetësuar sa që kërkova një pilulë për qetësim. Sot erdha me mendimin se do të jetë krejt ndryshe. Por përsëri jam njëjtë, sikur para dy vitesh. E emocionuar dhe e trishtuar, ka thënë Petriq. Teksa para fytyrës së përlotur mbante një katalog të ekspozitës, Petriq ka thënë se kjo ekspozitë e lë të kuptojë për madhështinë e Fehmiut.
Bekim Fehmiu – pasuria e humbur në heshtje ka lindur si pjesë e një projekti më të gjerë me emrin Dialogu, kujtesa dhe elaborimi i konfliktit, i cili realizohet në Bosnjë, Kosovë dhe Serbi me qëllimin që të promovohet trashëgimia e përbashkët kulturore, por edhe për krijimin e kushteve për vendosje të dialogut mes bashkësive që jetojnë në këto hapësira.
Prishtinë, In memoriam për Bekim Fehmiun burimi: Gazeta Shqip