Kthimi i syve drejt turizmit
Sezon turistik i lodhshëm, stresant dhe përgjithësisht në rënie për sa i përket nivelit të përgjithshëm të shpenzimeve. Kjo ndoshta do ishte mënyra më e saktë e përkufizimit të një sezoni të shkurtër, të mbingarkuar, ku shumica e turizmit u përqendrua gjatë këtij muaji dhe me rentabilitet të ulët, ku përgjithësisht u vu re një stanjacion në drejtim të përmirësimit të cilësisë. Kush ka përjetuar trafikun e tmerrshëm në disa pika të rëndësishme të korridorit që të çon në jug të vendit, me shpesh trafikun përgjatë gushtit të 10-fishuar, si për shembull në zonën e Golemit, ku po kryhen punime pa fund në horizont, bash në mes të sezonit turistik, rruga tashmë mitike Fier-Vlorë që është inauguruar të paktën dy herë dhe ende nuk është hedhur lopata e parë apo trafiku i rënduar në Vlorë, Dhërmi, Himarë, Sarandë e kështu me radhë, do rimendonte seriozisht një aventurë të ardhshme në këto kushte.
Me përjashtim ndoshta të biznesit të karburanteve që duhet të ketë shënuar shifra rekord të ardhurash përgjatë këtyre dy muajve të fundit, si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimit dhe trafikut që i ka shumëfishuar kostot e shoferëve, apo spekulantëve që mundohen të nxjerrin brenda dy muajve paratë e gjithë vitit, pa menduar kostot afatgjata të kësaj lloj strategjie, zor se konsumatori shqiptar, emigrantët e kthyer me pushime apo konsumuesit e të ashtuquajturit 'turizëm patriotik', do kenë ngelur të kënaqur nga cilësia e përgjithshme infrastrukturore e turizmit, ku ndjehet ashiqare mungesa e guidës dhe kontrollit shtetëror. Shto këtu dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike dhe ujit, në një kohë që premtimi ka qenë për garantimin 24 orë përgjatë vijës bregdetare dhe vjen fill pas një viti të ngopur me reshje, atëherë situata bëhet akoma më alarmante.
Nga ana tjetër dhe po aq, në mos më tepër shqetësuese, janë niveli i lartë i papastërtisë dhe plehrave që, të shoqëruara me betonizmin përherë e më të lartë të bregut, asfiksojnë natyrën, largojnë turizmin elitar, sidomos sjellin alienimin e turistit të huaj dhe ndikojnë mjaft negativisht në perceptimin e përgjithshëm popullor. Ndërtimet shpesh katakombe dhe pa kriter në zona të konsideruara perla të rivierës shqiptare, për shkak të pangopësisë së pushtetarëve lokalë, duhet t`u vihet fre një orë e më parë, pa shkatërruar dhe ato copëza ende të paprekura dhe ende të virgjëra të asaj që konsiderohet si aseti më i madh kulturor i vendit. Po aq e rëndësishme është edhe përgatitja një orë e më parë e një makro-strategjie, që do përcaktojë njëherë e mirë orientimin turistik, industrial, turistiko-industrial apo industrialo-turistik të vendit, në mënyrë që të veprohet me qartësi, objektivitet dhe të ketë një planifikueshmëri të përgjithshme se drejt cilit kah të zhvillimit të qëndrueshëm po shkon vendi.
Deklarata të tipit që, nuk do lejohet betonizimi i mëtejshëm i bregdetit dhe Shqipëria do orientohet krah zhvillimit të turizmit si prioritet dhe objektiv kryesor, çka përbënin dhe esencën e thënieve të Kryeministrit nga Dhërmiu para disa ditësh, duhet të gjejnë reflektimin e tyre në ligj dhe të bëhen realitet, jo të luhet me dy standarde dhe të vazhdojë investimi industrial-energjetik në zonat bregdetare, apo licencimi përherë e më i shpeshtë i fabrikave të çimentos etj., nisma këto tërësisht në kundërshtim me frymën populiste të frazave të mësipërme. Është e pafalshme që vendi ynë, me zona ku mesatarja vjetore e ditëve me diell i kalon 300 ditët në vit, me potencial të jashtëzakonshëm edhe për turizëm alpin, kulturor, kulinar etj., ku ndërthurja e tyre mund të arrihet me lehtësi për të krijuar hapësira për zhvillimin e vazhdueshëm përgjatë gjithë vitit të turizmit, me investime kryesisht të domosdoshme në infrastrukturën rrugore, të mos shfrytëzojë këto bukuri që i ka falur natyra dhe mungesën e ndotjes industriale që e ka karakterizuar deri tani së fundmi.
Sektori i shërbimeve është ndoshta i vetmi sektor që ka njohur rritje të pandërprerë përgjatë këtyre dy dekadave dhe që është i lidhur pazgjidhshmërisht si me zhvillimin e turizmit, ashtu edhe me punësimin, duke garantuar si një pjesë të rëndësishme të të ardhurave kombëtare, ashtu edhe në rritjen e mirëqenies personale apo kualitetit të jetës së shqiptarëve. Për këto arsye duhet strategjikisht të mendohet dhe investohet në të, të përgatitet një orë e më parë kuadri i plotë ligjor dhe promovohet sa të jetë e mundur në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë të një ekonomie që duhet të jetë në linjë me normat ndërkombëtare të formulës 'eco-eco', pra një ekonomie që sheh si bashkudhëtare të pandarë ekologjinë dhe mbrojtjen e saj.