Ekstradohen nga Greqia dy persona për trafik femrash dhe droge
TIRANË- Interpol Tirana ka ekstraduar dje nga kryeqyteti grek, Athinë, dy shqiptarë që strehoheshin në Greqi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, përkatësisht për akuzat e "shfrytëzim të femrave për prostitucion në rrethana rënduese" dhe tjetri për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, dy të ekstraduarit janë, Neritan Cjapi, nga Roskoveci i Fierit dhe Nuri Fusha, nga Barikati i Beratit, të dy të moshës 37 vjeç.
Burimet e policisë, pohuan dje se Cjapi, është arrestuar në shtetin helen në shkurt të këtij viti me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, ishte i dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Fierit më 28 prill 2005, për veprën penale të "shfrytëzimit të femrave për prostitucion në rrethana rënduese", pasi qe shpallur fajtor për mashtrimin dhe më pas shfrytëzimin e një vajze jashtë vendit.
Neritan Cjapi, nga Fieri, në vitin 1997, në fshatin Marinëz ka mashtruar një vajzë me inicialet S. M, duke i premtuar asaj bashkëjetesë në Greqi, por më pas e ka shfrytëzuar për prostitucion. Nëpërmjet kërcënimit se do ta vriste, Cjapi, e ka detyruar vajzën me inicialet të prostituojë deri në vitin 2008.
Ndërsa ndaj të ekstraduarit tjetër, i njohur me emrin Nuri Fusha, Gjykata e Beratit më datë 5 dhjetor 2008, ka caktuar masën e sigurisë, "arrest me burg", për veprën penale të "shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike". Nga të dhënat zyrtare të policisë mësohet se, Fushës, gjatë një kontrolli të ushtruar ndaj tij më datë 30 maj 2008 në afërsi të Urës së Goricës në Berat, i është gjetur një sasi lënde narkotike.