Problemet e emigrantëve
Lexova me interes qytetar dhe profesional shkrimin interesant dhe me vlera të Shinasi Ramës, botuar në gazetën "Shekulli". Sensibiliteti për temën e problemeve sociale të emigrantëve tanë është jo i zakonshëm. Këtë e tregoi dhe fakti se kur hapa internetin për të parë reagimin publik të lexuesit, dukej se për shkak të temës aktuale dhe intriguese, por dhe të kohës së përshtatshme, nga që shumicën e emigrantëve i kemi këtu, shkrimi ishte nga shkrimet më të komentuara. Brenda ditës së parë janë postuar 22 komente. Meqenëse tema dhe problematika sociale e emigracionit dhe relacionet e emigrantëve me vendin, familjen dhe shoqërinë e tyre tani janë në një fazë të re dhe janë bërë më të komplikuara, po shfaq edhe unë mendimin tim. Emigrimi është një realitet social, që ka sjellë ndryshime në jetën e mijëra shqiptarëve që janë larguar nga vendi ynë që nga viti 1990.
Tani jemi në një etapë të re, sepse pas gati dy dekadave të jetës në emigrim, kanë ndodhur ndryshime demografike, kulturore, gjuhësore, me pasoja sociale evidente për familjen dhe shoqërinë shqiptare. Në sociologjinë moderne ka patur dhe vazhdon të ketë analiza dhe studime gjithëpërfshirëse, që merren me këtë dukuri sociale, me shndërrimet e thella që ndodhin në jetën e të emigruarve, në procesin e integrimit të tyre në shoqëritë e reja, me metropolet e mëdha, të relacioneve të ndryshuara të tyre me familjen biologjike dhe vendin amë. Në të vërtetë, nga takimet dhe bisedat e shumta që kam zhvilluar me emigrant këtu dhe jashtë vendit, duket se situata e emigrantëve shqiptarë kohët e fundit po bëhet më e qartë, por dhe më e vështirë, e komplikuar. Sepse pas një periudhë relativisht të gjatë në emigracion, shumë gjëra kanë ndryshuar, sipas rastit, për mirë apo edhe për keq.
Natyrisht ishte e pritur që ata të kenë problem jo vetëm me vendet ku janë rezidentë apo të integruar, por edhe me vendin dhe familjet e tyre, sepse siç po duket në jo pak raste, jo vetëm po ndryshojnë dhe përkeqësohen marrëdhëniet e tyre familjare e pronësore me familjen dhe shtetin amë, por në të njëjtën kohë janë në luftë të vështirë ekzistenciale, për të stabilizuar marrëdhëniet individuale dhe sociale me kërkesat e rrepta, me standardet shpesh diferencuese të shoqërisë, në të cilën ata janë të detyruar të adoptohen dhe të integrohen. Nuk ka dyshim që koha ka sjellë ndryshime të rëndësishme në jetën, të menduarit dhe mentalitetin e emigrantëve tanë. Ata tashmë kanë ndryshuar shumë, janë larguar gradualisht nga traditat e komunitetit ballkanik dhe po afrohen me parametrat e qytetërimit europian.
Kjo gjë duhet kuptuar dhe pranuar, për të kuptuar dhe interpretuar drejt pasojat sociale dhe ndryshimet që ata kanë tashmë evidente në mënyrën e tyre të sjelljes sociale. Nuk ka dyshim që komportimi i emigrantëve me jetën sociale të shoqërisë sonë, pak nga pak po bëhet i vështirë. Dhe këtë ata nuk e bëjnë as për karshillëk apo për snobizëm. Ne duhet t'i kuptojmë drejt, sepse sjellja e tyre është një reagim adekuat i kushteve të reja të jetës, në të cilën ata jetojnë, i përshtatjes së detyruar me mënyrën e organizimit shoqëror, kulturën e jetës së vendeve ku ata jetojnë. Në këtë kontekst, duket qartë se karakteristikat mendore dhe sjellja morale e emigrantëve tanë ka ndryshuar. Përgjithësisht për mirë. Mua më bën përshtypje të miraftësia adoptuese e emigrantëve tanë me realitetet sociale në të cilat ata jetojnë.
Kam patur rastin që në shumë vende të Europës dhe në ShBA, të kem takuar shumë emigrantë, shokë, miq dhe të afërm të mi dhe ajo që më ka bërë përshtypje është aftësia e tyre e spikatur për të përshtatur "qëndrimet individuale" me standardet e sjelljeve sociale të qytetërimeve në të cilat ata po integrohen natyrshëm. Nuk duhet të jemi eksentrikë. Me gjithë problemet sociale dhe defektet e qeverisjeve në këtë vend, aftësia adoptuese e emigrantëve tanë me realitetet në të cilat jetojnë, është një "vlerë e përbashkët" sociale, të cilën ata e kanë marrë pikërisht nga kjo mënyrë e vështirë jetese që kanë bërë këtu në vendin e tyre dhe tonin. Aftësia për adoptim, guximi për të përballuar me krenari vështirësitë, kujdesi për të afërmit e tyre dhe solidariteti me familjen biologjike, janë disa vlera që në mënyrë empirike i ka patur të kristalizuara qytetërimi ynë. Këto vlera u kanë shërbyer emigrantëve tanë, kur ata kanë patur nevojë të sfidojnë dhe të përballojnë vështirësitë e natyrshme të emigracionit, përgjithësisht i paorganizuar dhe kaotik.
E megjithatë, ne, pavarësisht përgjegjësive apo indiferencës së qeverive të këtij vendi, kemi krenarinë që djemtë tanë, me vështirësi por të sigurt, mundën të krijojnë vlera sociale të përbashkëta si "grup" i emigrantëve nga Shqipëria, dhe, mbi të gjitha, që treguan aftësi për t'u integruar në shoqëritë e reja, duke njohur dhe zbatuar kërkesat e qytetërimit të tyre dhe vlerat sociale të shoqërisë moderne europiane. Për këtë, ata, pavarësisht sakrificave, kanë vlerat e tyre dhe e kanë nderuar "ashtin" e vjetër të qytetërimit tonë. Dhe të mos harrojmë një gjë që është e veçantë për emigracionin tonë. Jo të gjithë të emigruarit ikën në emigracion nga qytetet tona të mëdha. Me siguri, statistikisht, shumica e tyre ishin nga fshati, ku varfëria kishte arritur në pikën më të lartë. Në shekullin e 20-të shumica e të emigruarve europianë që shkuan në Amerikë, kanë qenë ose nga qyteti, ose nga popullsia fshatare, e cila kaloi fillimisht nga fshati në qytet dhe pastaj u largua në emigracion.
Pjesa më e madhe e emigrantëve tanë nuk pati këtë mundësi të qarkullimit paraprak brenda vendit të tyre, ngaqë mbetën vetëm në fshat, dhe nuk patën mundësi të mësonin kërkesat elementare të jetës urbane, para se të bënin "kërcimin e madh" nëpërmjet emigracionit në metropolet e Europës. Kjo është një specifikë e emigracionit tonë që duhet vlerësuar, sepse ka patjetër pasojat e veta të natyrshme. Por kjo ka dhe të mirën e vet. Nga pikëpamja sociale, fakti që shumica e të emigruarve tanë janë nga zonat rurale, është një garanci për zgjatjen e procesit të "ftohjes biologjike", të ndërprerjes së marrëdhënieve me pjesëtarët e familjes. Dhe kjo duket. Ndihma e emigrantëve tanë për familjet ka qenë e gjatë, konsistente dhe relativisht e konsiderueshme. Shumë emigrantë, edhe pse jetojnë në Nju Jork, Romë, Londër etj., sa herë që vijnë në Shqipëri mendojnë edhe për të ardhmen e tyre, që me sa duket nuk e kuptojnë të shkëputur nga fati i familjes dhe vendit të tyre.
Nga pikëpamja sociologjike është e vërtetuar dhe e pranuar se "vlerat sociale" në mjedisin rural janë më të forta, lidhjet dhe solidariteti familjar është më i qëndrueshëm, lidhja me tokën dhe trashëgiminë e saj është më e fortë. Natyrisht, është e vështirë të parashikosh deri në fund, se cila do të jetë e ardhmja e kësaj kurbe sociale. Historia e emigracionit ka treguar se, si rregull, me kalimin e kohës, lidhjet e emigrantëve me origjinën zbehen, sepse siç thonë sociologët e emigracionit, kur largohen të rinjtë nga fshati, "gjithçka që ka të bëjë me bujqësinë dhe tokën zhduket". Sipas tyre, historia e emigracionit tregon se "familja e madhe rurale dhe lidhjet e vjetra dhe solidariteti fisnor...u shkrehën mbi Atlantik" (është fjala për emigrantët europianë që kaluan në SHBA).
Natyrisht, emigrantët tanë kanë probleme që lidhen në raportet e tyre me familjen biologjike dhe shtetin, por dhe me aftësitë dhe përpjekjet e tyre për t'u integruar me dinjitet në realitetet ku jetojnë. Ky nuk është problem i vogël dhe pasojat nuk kanë qenë të thjeshta. Gjendjet e secilit dhe mënyra e adoptimit me realitetin ekonomik e social në emigrim janë konkrete, të individualizuara dhe reale. Po kështu edhe pasojat për secilin prej tyre janë të individualizuara. Emigrantët tanë ende nuk janë të gjithë të stabilizuar dhe të integruar në rrjedhat e qytetërimeve ku jetojnë dhe punojnë. I gjithë fluksi i emigrantëve të sjell shembuj që vërtetojnë tezën se ata lëkunden midis pjesës që ka mundur të realizojë organizimin dhe përshtatjen sociale me realitetin, dhe një pjesë tjetër që jetojnë në dallgët e pamundësisë së stabilizimit dhe që përjetojnë pasojat e çintegrimit social. Pjesa e stabilizuar dhe e integruar e emigrantëve tanë jetojnë normalisht dhe kanë mundur të përshtatin veprimtarinë dhe sjelljen individuale me kërkesat dhe rregullat sociale. Ky përkim nuk është i lehtë, por atë e kanë realizuar një pjesë e madhe e qytetarëve tanë që kanë kohë që jetojnë në emigracion.
Ndërkaq, nuk është i vogël numri i emigrantëve tanë, që për shkaqe të ndryshme ende nuk kanë mundur të përshtatin sjelljen e tyre me kërkesat dhe vlerat sociale të qytetërimit modern, duke përjetuar kështu një situatë të gjatë të çorganizimit social, që vjen pikërisht nga kjo mospërputhje e vlerave individuale dhe kërkesave të forta sociale të emigracionit. Nuk është rastësi që ende është i lartë numri i qytetarëve tanë që vegjetojnë në rrugët e errëta të krimit, kontrabandës, vjedhjes, drogës, prostitucionit, krimit të organizuar etj. Si rezultat i zgjatjes së kësaj situate të çorganizimit social, vijnë pasoja të tjera shtesë, me të cilat po përballen emigrantët tanë, si prishja e familjeve nga divorci, alkoolizmi, rrugaçëria, jeta boheme, pa qëllime dhe synime të kristalizuara etj. Kjo kategori sociale është vërtetë në rënie numerike, por megjithatë, problemet e tyre mbeten ende plagë të hapura të emigracionit tonë...