Një milion lekë shpërblim policëve
TIRANË- Qeveria vendos të shpërblejë me nga një milion lekë të reja, pjesëtarët e Grupit të Operacioneve Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që morën pjesë në operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit dhe kunatit të tij, operacion në të cilin mbetën të vdekur katër punonjës policie dhe mbeti i vrarë edhe një person tjetër që shoqërohej nga Dritan Dajti. Vendimi është marrë dje nga qeveria në mbledhjen e saj të radhës, me qëllim shpërblimin sipas saj të disa prej punonjësve që kishin marrë pjesë në operacionin për arrestimin e disa personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas vendimit të djeshëm, lista e punonjësve që do të shpërbleheshin në bazë të këtij vendimi të qeverisë do të hartohej nga vetë Ministria e Brendshme e cila kishte bërë edhe propozimin përkatës në qeveri. Në vendimin e djeshëm të qeverisë, nuk pohohej se për cilin person konkretisht bëhej fjalë. Ndërkaq burime të Ministrisë së Brendshme në lidhje me këtë propozim pohuan se bëhet fjalë për njësinë e Grupit Operacional të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që morën pjesë në operacionin arrestimit të Dritan Dajtit. Sipas këtij vendimi çdo punonjës do të shpërblehej me nga 1 milion lekë të reja. Në total, fondi i dhënë nga qeveria nëpërmjet vendimit të ditës së djeshme kapte shifrën e 12 milionë lekëve që pritet të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndësa vendimi në fjalë hyn në fuqi menjëherë.