E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet përfaqësim më dinjitoz i diasporës në vendimmarrje

Diaspora kosovare duhet të ketë një trajtim më dinjitoz në institucionet vendimmarrëse, ndërsa duhet të jetë zë i fuqishëm edhe në procesin zgjedhor. Kështu u tha të premten në një tryezë organizuar nga Qendra për Politika dhe Avokim, ku u publikua hulumtimi “Diaspora, për një përfaqësim të drejtë në vendim marrje”.

Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli tha se me themelimin e kësaj ministrie i ka kërkuar komisionit parlamentar përgjegjës që të bëjë ndryshime kushtetuese, në mënyrë që të gjendet një mundësi për rezervimin e vendeve në parlament për mërgatën kosovare.

Po ashtu, ai ka përsëritur qëndrimin e tij se diasporës duhet t`i sigurohen ulëse të rezervuara në Kuvendin e Kosovës, njofton albinfo.

Ndërsa Markus Baecler, drejtor i Zyrës së Zvicrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC/ DEZA) tha se Zvicra ka inicuar projektin “Diaspora për Zhvillim”, me të cilin dëshiron të mbështesë autoritetet e Kosovës për të inicuar një bashkëpunim me diasporën kosovare me qëllim që të promovojë potencialin e tyre ekonomik dhe intelektual.

Në Zvicër, sipas tij, jetojnë 150 deri 170 mijë kosovarë, ku, siç tha ai, jeton diaspora më e madhe kosovare, pas asaj në Gjermani.

Jajhja Lluka ka kërkuar që në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të hyjë edhe diaspora, si pjesë përbërëse e shoqërisë. Ai tha se nëse në kushtetutë hyjnë si çështje të veçanta komuniteti malazez dhe ai maqedonas, në kuadër të këtyre ndryshimeve duhet të hyjë edhe diaspora me përfaqësim në Kuvend.

Kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Jeton Kryeziu ka qenë më kritik rreth përfaqësimit të diasporës në vendimmarrje. Ai si shembull për mostrajtim të duhur ka marrë sigurimet shoqërore që nuk merren parasysh nga institucionet e Kosovës. Kryeziu tha se neglizhenca ka ndikuar që ky problem të zvarritet në kurriz të pensionistëve kosovarë.

Isuf Zejna, nga Qendra për Politikë dhe Avokim, ka prezantuar një studim rreth përfaqësimit politik të diasporës në vendimmarrje në shtete të ndryshme. Sipas tij, Kosova është shumë mbrapa me përfaqësimin e diasporës.

Në konferencë po marrin pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të diasporës, por edhe të partive politike kosovare dhe të organizatave jo qeveritare. Konferenca do të vazhdojë edhe nesër me prezantime të tjera./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›