Ku janë kartat dhe abonetë e studentit?
Ndok Malaj
Është folur shumë për kartat e studentit që do të ndihmojnë të udhëtohet nëpër mjetet e transportit publik me avantazhet e thëna nëpër letra Bashkie por si është realiteti? Jo vetëm që akoma nuk është nxjerrë kjo kartë studentore por nuk gjen as edhe abone studenti për të blerë. Edhe në qoftë se del ndonjë për ti shitur nuk e merr dot në agjencitë e shitjes së tyre por mund ta blesh me çmim më të lartë dorë pas dore sa nuk ja vlen ta marrësh por të blesh më mirë abone të përgjithshme. Pse Bashkia e Tiranës nuk i dërgon nëpër shkolla dhe universitete që ti blejnë vetë sipas numrit të atyre që i përdorin për tu shkolluar dhe jo të përdoren ato pak abone që shiten nga persona që nuk frekuentojnë shkollat? Fëmijët e mi kanë 5-6 vite që vazhdojnë mësim në fakultetet e Kamzës dhe asnjëherë nuk kam gjetur në tregun e aboneve për të blerë abone studenti megjithëse është folur shumë për këtë lehtësi. Dhe jo vetëm që nuk ka abone por ka raste të shumta që autobusët qëndrojnë në stacionet e tyre më gjatë duke i vonuar për në shkollë të rinjtë si dhe punonjësit që duhet të kapin orarin zyrtar të nisjes së punës. Mendoj se në orët e para të fillimit të mësimit duhet të ketë më tepër autobusë në linjë se nuk bëhet fjalë për qindra studentë por me mijëra të tillë. Vërtetë jemi vend me shumë halle por njëherë u duhet dhënë zgjidhje problemeve më të mprehta që ka shoqëria jonë duke përcaktuar një minimum jetik për çdo njeri . Tani çdo gjë bëhet dhe shikohet përmes internetit dhe gjithë kjo administratë që është në drejtimin tonë duhet të qëndrojë në terren dhe jo në zyra për të dhënë urdhra me letra dhe me celularë. Vetëm duke jetuar me realitetin mund të marrësh vendime të drejta dhe të shërbesh me korrektesë ndaj popullit tënd që të jep votën për ta drejtuar dhe më pas rrogën për të paktën 4 vite.