Njeriu i sloganeve
Nuk duhet të fillojmë nga gjërat e vjetra të mira, por nga gjërat e këqija të reja. Kështu mund të fillohet ky shkrim, me një frazë të dramaturgut Bertold Brecht, sepse gjërat e vjetra mund të jenë të mira, dhe gjërat e reja mund të jenë të këqija. Për të gjëra të reja të këqija mund të marrim shembull përdorimin politik të rrjeteve sociale, sidomos “tuiter-in” për të propaganduar nëpërmjet sloganeve ide dhe vlera. E them këtë sepse është e natyrshme kur argumentimi reduktohet në 140 shkronja, po aq e natyrshme është konvertimi i asaj që thuhet në parulla politike. Në politikë parulla shpreh thelbin e asaj çfarë mendon apo propozon një parti politike në rrethana të caktuara, sidomos gjatë fushatës elektorale, për të identifikuar e nxitur zgjedhësin ta votojë.
Kuptohet vetiu që subjekti më i interesuar të nxisë sa më shumë votues duhet të jetë patjetër nga opozita sepse ajo ka më shumë interes të përmirësojë statistikat dhe shifrat e votave pro saj. Për të marrë një shembull konkret duhet të shikosh se çfarë po bën koalicioni opozitar për të rikuperuar 142 mijë vota minus të dala nga zgjedhjet lokale të 2011. Kreu i opozitës, Edi Rama, ka vendosur për të mbushur hendekun shifror jo me një reflektim politik dhe analizë të thellë të asaj çfarë ndodhi dhe pse nuk frymëzoi sa duhet qytetarët, por të krijojë sa më shumë parulla politike për të galvanizuar militantët dhe të magnetizojë gjatë zgjedhjeve lokale grigjën gri. Historiku i parullave të Ramës kryetar i Partisë Socialiste filloi me “Dialog me Shqipërinë”, që ishte një version modern i uljes “gju më gju”, me popullin të Enver Hoxhës.
Gjithashtu gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2009, Rama krijoi sloganin e pafat “Përtej të majtës dhe të djathtës”, që hutoi jo pak elektoratin e saj. Dy vitet e mëpasme opozita socialiste, pasi humbi zgjedhjet dhe krijoi alibinë, adaptoi e një agjendë konfliktuale e për rrjedhojë parullat ishin agresive. Filluan me “Kush është vota ime”, pasa protestave të shumta dikush i tha Ramës që votat ishin në kuti, prandaj aty për aty shpalli të nesërmen politike: “hap kutitë, ose largohu”, iu drejtua kryeministrit Berisha, më pas “hap kutitë dhe liro vizat, çliro ekonominë, etj”.
Ngase kutitë nuk u hapën dhe vizat u hoqën, por Berisha nuk u largua. Edi Rama sajoi parullën armiqësore: “fajin e ka Saliu”. Duke qenë faji për definicion është jetim, edhe kjo parullë pësoi një jetë gjatësi javore. U fik si kandili pa vaj.
Sakaq afrimi i zgjedhjeve lokale të 2011 detyroi Ramën të shpikte sloganin “E vetmja rrugë është Rama”. Dhe me qesëndi një koleg iu përgjigj që edhe për të shkuar në Romë ka shumë rrugë. Gjithsesi ky fjalëkalim e shpuri PS në një udhëkryq politik. Kur Shqipëria po pësonte një ndryshim rrënjësor të infrastrukturës rrugore, çka është e prekshme me 9 mijë kilometra e saj të ndërtuar pas 2005, kreu opozitës propozoi një rrugë të vetme, e cila ishte pa tabela sinjalizuese të qarkullimit të ideve dhe të mallrave u përjashtuar nga përzgjedhja e qytetarëve. Me të vetmet rrugë Rama u kërkoi qytetarëve të dilnin nga autostrada e reformave integruese dhe të hynin drejt një të panjohure. Përtej metaforës, Edi Rama është në krye të Partisë Socialiste dhe forcës opozitare për të pasur një alternativë, një ide dhe program opozitar me qeverinë, dhe jo të shpikë “kurse” të reja, sipas modeleve të revolucionit kulturor kinez. Kinezëritë e vjetra, me ambalazhe të sofistikuara janë të tejkaluara në debatin pragmatist shqiptar. Leksionin pragmatist të qytetarëve të Tiranës, më 8 maj 2011, që zgjodhën ndryshimin e administratës së punëve të kryeqytetit dhe jo gjallimin e një institucioni patericë të Partisë Socialiste duhet ta ketë kuptuar edhe Edi Rama.
Mirëpo nuk është e thënë që edhe pasi e ka kuptuar ka menduar për të vepruar drejt. Përkundrazi kthesa 180 gradë pas humbjes së bashkisë së Tiranës dhe hyrja në një “kurs të ri” prodhoi një libër-manifest politiko-historik të titulluar “Kurban”, që doli të ishte parapërgatitja për “rilindjen e madhe”. Opozita kish vdekur dhe duhej mesia (Rama) ta ringjallte, siç bëri Krishti me Shën Lazrin. Nga ringjallja tek ardhja në pushtet me siguri duhet gjetur një parullë më e pranueshme për të sqaruar thelbin e saj çfarë është dhe propozon opozita anoreksike në ide dhe alternativë qeverisëse.