E Diel, 1 Nëntor 2026

Ristrukturimi i Albpetrol dhe 10 pyetje për ministrin

Letër nga ish-punonjësit e dëbuar / Albpetrol

Në emisionin Top Story të datës 29 mars, ministri i METE-s, z.Nasip Naço, midis të tjerave deklaroi se Albpetrol sh.a. aktualisht ka në marrëdhënie pune 4000 punonjës, të cilët do të trajtohen sipas VKM Nr. 106, date 01.02.2012 me një vit rrogë dhe shpërblimin për vjetërsi në punë. Ndërsa punonjësit e pushuar nga puna në vitin 2010, nuk do të përfitojnë shpërblimin për vjetërsi, pasi ata ishin pushuar në kohën e ministrit që tashmë është në koalicion me opozitën.

Kjo deklaratë e z.Naço hedh dritë mbi dy çështje kryesore. Së pari, dy ristrukturimeve të kryera sipas VKM Nr. 261, datë 27.02.2008 dhe Nr. 275, datë 26.04.2010, ku humbën vendet e punës 2394 punonjës dhe shoqëria Albpetrol shpenzoi 1,272,700,000 lekë të reja, shoqëria e ka ulur numrin e punonjësve vetëm me 45 punonjës. Së dyti, punonjësit janë trajtuar politikisht. Ata të pushuar në 2010 janë vlerësuar si argatë të ish-ministrit, deri dje ish-shok i Nasip Naços.  Këtyre punonjësve u është vjedhur vendi i punës, janë ofenduar në mënyrë kolektive dhe nuk u trajtuan si punonjës të shtetit shqiptar, në respekt të Kodit të Punës si kolegët e tyre të vitit 2008 dhe të atyre që do të pushohen më pas.

Ne i jemi drejtuar disa herë Ministrit të METE-s për të sqaruar veprime të tilla, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje.

Në këto kushte pyesim nëpërmjet gazetës  Shekulli

  1. A jemi ne punonjësit ligjorë të shoqërisë Albpetrol sh.a. me pronar shtetin shqiptar, apo jemi argatë të ish-ministrit?
  2. Si shpjegohet që nga ristrukturimi i shoqërisë Albpetrol sh.a. nëpërmjet dy vendimeve të KM janë shkurtuar 2394 punonjës dhe aktualisht ju deklaroni në marrëdhënie pune po aq punonjës sa kanë qenë para kryerjes së këtyre ristrukturimeve vetëm 45 punonjës më pak?
  3. Përse harxhimi i 1,272,700,000 lekëve ka dhënë një rezultat kaq të vogël të shkurtimit të punonjësve vetëm me 45 punonjës?
  4. Përse në marrëdhënie pune nga 4000 punonjës që ka sot shoqëria, vetëm 1651 janë nga 4038 që ishin në Tetor 2005?
  5. Perse u planifikua nga Albpetroli të shkurtoheshin 1229 punonjës pikërisht aq sa ishte numri i punonjësve të shtuar nga 2006 Dhjetor 2009?
  6. Përse Ministria e Financave doli me variantin e trajtimit të punonjësve vetëm me 4 paga mujore dhe asgjë tjetër? Mos vallë propozuesit e këtij varianti ishin të ndërgjegjshëm se bëhej fjalë pikërisht për shkurtimin e 1229 punonjësve të marrë tepër gjatë 2006-Dhjetor 2009?
  7. Përse nuk na u shpërndanë kontributet e vjetërsisë sipas Kodit të Punës dhe VKM Nr. 275, datë 26.04.2010, apo u trajtuam si punonjës pa vjetërsi?
  8. Për çfarë është përdorur pjesa e shpërblimit për vjetërsi e llogaritur në shumën rreth 250 milionë lekë, miratuar nga VKM Nr. 275, datë 26.04.2010 për punonjësit që dalin të papunë nga ristrukturimi?
  9. Sa është fatura e pagave vjetore të 1836 punonjësve të rinj që vazhdojnë të paguhen jashtë vendeve të punës në shoqërinë Albpetrol dhe me çfarë përballohen ato?
  10. A mund të shkaktojnë shpenzime të tilla falimentimin e shoqërisë Albpetrol?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›