Ku janë premtimet që u bënë gjatë fushatës? Janë zhdukur
Reagon deputeti i PD, Tritan Shehu, në lidhje me fshehjen Edi Ramës për një Shëndetësi falas
Deputeti i PD, Tritan Shehu, me profesion mjek, ka reaguar në rrjetin social facebook në lidhje me fshehjen e kryeministrit në ardhje Edi Rama për një Shëndetësi falas. “Z. Rama, mblodhi qeverinë e ardhshme. Duke lexuar shtypin pranë atij spektri qartëson menjëherë kryefjalën e atij takimi. Për këtë do të marr në konsideratë vetëm ato që i dedikohen sistemit shëndetësor. Ku janë premtimet që u bënë gjatë fushatës? Janë zhdukur”. Sipas tij, në fakt, “më mirë që janë zhdukur, se ato veçse do shkatërrojnë sistemin, nëqoftëse tentohet të aplikohen”. Me tej konstaton: "do të implemetohet mbulimi universal i popullsisë". “Në fakt kjo është realizuar prej disa vitesh të ne. Për ta konfirmuar ju rekomandoj të lexoni materialet e OBSh. Për çudi nuk flitet më për "sistem shëndetësor falas", si premtuan!”,theksoi ai. Ndër të tjera, nënvizoi deputeti Shehu, në realitet “më mirë të harrohet ai slogan marksist!! Flitet për një financim "kryesisht nga taksimi i përgjithshëm". Aktualisht rreth 75% e buxhetit të shëndetësisë vjen nga taksimi i përgjithshëm e 25% nga kontributet. Në fakt ky është një raport, që duhet detyrimisht ndryshuar, në favor të kontributeve. Po Rama çfarë do të bëjë? Siç duket kërkon të mbajë gjendjen aktuale! Ai flet për "një blerës unik", që do ta quajë "Shërbimi Shëndetësor Kombëtar". Termi vetë është absurd!! Ne sot kemi një blerës unik, që është Fondi I Sigurimeve Shëndetësore. Ne fakt duhet të ishin dhe blerës të tjerë. Fatkeqësisht ne nuk arritëm ta realizonim. Po Rama çfarë po bën? Po i nderon vetëm emrin dhe me tej do ta bllokojë gjendjen në këtë nivel! Kjo nuk është në përputhje as me premtimet e tij e as me rrugën e duhur zhvilluese. Nuk përputhet me premtimet e Z. Rama për financimin e blerjen e "produktit" të atij sistemi. Po këtë si do ta quaje ai, se fjalën "mall" e ka shpallur heretike? Pra kryefjala e atij takimi është: mos mbajtje të premtimeve dhe në vend numëro! Në fakt kjo do ta shpëtojë sistemin shëndetësor nga rrënimi i plotë, por as do ta zhvillojë më tej atë! Mbledhje spekulative e konfuzionale”, përfundoi ai.