Vëzhgimi/ Rama presion kryebashkiakëve të tij, “do të mbani përgjegjësi”, mos kërkoni atë që s’ju takon
Edi Rama pasi u ka dhënë direktivat e fundit ministrave, u ka rezervuar një takim kryetarëve të bashkive dhe komunave të qarkut Vlorë si dhe me deputet të majtë të këtij qarku. Mësohet se shefi i ardhshëm i qeverisë, njëherësh deputet i Vlorës ka kërkuar nga krerët e bashkive dhe komunave të shënjestrojnë ndërtimet pa leje, pasi puna për prishjen e tyre do të nisë shumë shpejt. Shpëtim Gjika i vënë kohët e fundit në shënjestrën e kritikave të brendshme dhe jashtë partisë ka preferuar të heshtë. Edi Rama u ka bërë të ditur kryetarëve të bashkive dhe komunave të qarkut Vlorë se do të mbahet përgjegjësi për këto ndërtime pa leje dhe me leje të dyshimta, pa miratimin e tij. Ditët e fundit është intensifikuar agresioni verbal i kryeministrit në ardhje ndaj çifligarëve partiakë në provincat bregdetare, të cilët e pengojnë planet e biznesit të manjatëve të ndërtimet që bazohen mbi sistemin e përqindjes. Fotot që qytetarë anonimë dërgojnë në adresë të Edi Ramës janë aktakuza të rënda për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika apo Vangjush Dakos në Durrës. Po ashtu në uebsajtin e Stoprrënimit.com të Edi Ramës ka ardhur edhe fotot të lokaleve pa leje të ndërtuar në Durrës, Golem, Sarandë dhe Ksamil. Padyshim tendenca e qytetarëve që kanë denoncuar përmes fotove ndërtimet abuzive janë qytetet bregdetare, aty ku kryesocialisti ka lajmëruar nisjen e një aksioni frontal për të prishur ndërtimet “pa” leje të gjithë vijën e bregdetit të Jugut, por dhe ndërtimet e bëra në anë të rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë, që prishin peizazhin e rivierës shqiptare. Nuk mund të mos thuhet që Edi Rama ka nisur një sulm mediatik të mirëorganizuar që po dirigjohet këto ditë kundër drejtuesve socialistë në Bashkitë e Durrësit, Vlorës dhe Sarandës. Kjo duket ashiqare në mobilizimin total të oborrit mediatik pranë PS, të urdhëruar nga Edi Rama, kundër atyre që kanë shfaqur pakënaqësi me emrat e qeverisë së re. Përballë justifikimit se kjo fushatë është inskenim, qëndrojnë shenjat e shpronësimit politik të bashkiakëve, për t’i çelur rrugën bizneseve personale të Edi Ramës