E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kualifikimi ne Europe sfidat e Flamurtarit dhe Vllaznise

Kualifikimi në raundin e dytë të Europa League do ta vendosë Flamurtarin përballë çekëve të Jablonec. Formacioni çek i drejtuar nga František Komňacký me emrin e plotë FK Baumit Jablonec nuk është se ka eksperiencë të madhe në arenën ndërkombëtare, por ka arritur deri në raundin e tretë edicionin e kaluar kur është eleminuar nga qipriotët e Apoel Nikosia me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Sfida kundër vlonjatëve është dalja e 4 në Europa ligë për skuadrën ceke, që në organikën e saj ka vetëm futbollistë vendas dhe vetëm në mesfushë luan boshnjaku, Anes Haurdić. Takimi i parë luhet në Vlorë në 14 korrik dhe takimi do të arbitrohet nga rusi Sergey Karasev.

Sfidë delikate edhe për Vllazninë, që raundin e dytë do të ketë kundërshtar zviceranët e Thun. I krijuar në vitin 1898, FC Thun ka shkruar historinë e futbollit zviceran. E megjithatë, Thun është ngjitur në Super League në sezonin 2009/10, pas një sezoni të vështirë në 2008. Stadiumi Lachen ku luan Thun ka një total prej 10,300 tifozëve. Përveç Grasshoppers, Zürich dhe FC Basel, Thun është e vetmja skuadër zvicerane që ka arritur fazën e grupeve të Champions. Në rradhët e skuadrës së drejtuar nga Bernard Challandes, luan sulmuesi kosovar i natyralizuar Milaim Rama, por edhe mesfushori shqiptar Mirson Volina. 90 minutat e para do të luhen në “Loro Boriçi” nën drejtimin e kroatit, Igor Pristovnik, ndërsa kthimi një javë më pas.

Në raundin e dytë zbret në fushë edhe Tirana, që kundërshtar do të ketë sllovakët e Spartak Trnava. Historikisht Spartak është një nga klubet më të suksesshëm në Sllovaki, duke qenë se ka fituar kampionatin në Cekosllovaki dhe Kupën 5 herë dhe duke arritur në gjysëmfinale të kupave të Europës 1 herë dhe dy herë në cerekfinale. Spartak i luan ndeshjet në stadiumin Antona Malatinského, që është edhe impianti më i madh në vend. Spartak Trnava ka patur kohën e artë në vitet 60 deri në 80, por edhe pas 90 skuadra ka vijuar sukseset dy kupa të Sllovakisë dhe 1 superkupë. Ndeshja e parë do të luhet në Qemal Stafa dhe arbitër do të jetë rusi Vladimir Kazmenko.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›