Kualifikohet kampioni

Pas Barcelonës, Shakhtar Donetsk, Tottenham Hotspur dhe Schalke, edhe Inter e Manchester United janë kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Kampioni aktual i Evropës, Inter ia doli të martën mbrëma që ta eliminoj nga kjo garë Bayern Munchen. Italianët e mposhtën si mysafirë gjigantin gjerman me rezultat 2:3, dhe në këtë mënyrë rikuperuan humbjen që e kishin pësua në ndeshjen e parë me rezultat 0:1 nga bavarezët.
Në fakt, Interi e nisi mirë takimin dhe në minutën e 4-t kaloi në avantazh prej 0:1 me golin që e realizoi Samuel Eto’o. Mirëpo, reparti defanziv i Interit çaloi gjatë pjesës së parë, me ç’rast kjo skuadër i pranoi dy gola nga Bayern.
Fillimisht Robben gjuajti, por portieri Julio Cesar nuk e ndali mirë topin, dhe Mario Gomez ia doli ta barazoi rezultatin në 1:1 në minutën e 21-të. Ndërsa, në minutën e 31-të, Bayern Kaloi në avantazh prej 2:1 me golin që e shënoi Thomas Muller, i cili e shfrytëzoi një gabim të Thiago Mottas.
Duhet theksuar, se bavarezët gjatë kësaj pjesë-loje i kanë pasur edhe pesë raste tjera ideale për të shënuar, por dështuan t’i konkretizonin ato.
Ndërsa, në pjesën e dytë Interi u këndell. Kampionët aktual të Italisë ia dolën që ta barazojnë rezultatin në 2:2 në minutën e 63-të me golin që e shënoi Wesley Sneijder, pasi mori një top nga i disponuari për lojë, Eto’o.
Pas këtij goli Interit iu ngjallën shpresat për kualifikim dhe me motiv të madh kërkonte golin e tretë dhe të kualifikimit. Këtë objektiv ekipi zi e kaltër e arriti në minutën e 87-të, kur Eto’o shërbeu Goran Pandevin, i cili shënoj dhe u bë hero i Interit.
Në këtë mënyrë, Inter u kualifikua në çerekfinale dhe njëkohësisht e mbrojti nderin italian në Evropë, pasi është skuadra e vetme e këtij shteti që akoma ka mbetur në garë për titullin e kampionit të kontinentit të vjetër.
Ndërsa, Manchester United e shfrytëzoi mirë përparësinë e terrenit dhe e mposhti me rezultat 2:1 Olympique Marseillen. Kështu anglezët ecën përpara, pasi përballje e parë mes këtyre dy ekipeve pati përfunduar pa gola. Të dy golat për gjigantin anglez i shënoi Hernandez, derisa lojtari i ekipit vendas, Brown shënoj autogol në favor të ekipit francez.