E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuba mbijeton “Me ose pa Fidelin”

SHKRUAN: Aida Tuci 26-01-2011 11:27

A do t’i mbijetojë revolucioni vdekjes së udhëheqësit të sëmurë Fidel Kastro?

“Me ose pa Fidelin” është dokumentari për debatin rreth të ardhmes së revolucionit kuban. Dokumentari që përçon atmosferën dhe ndjenjat e kubanëve të të gjitha shtresave u shfaq dje për studentët e Universitetit Europian të Tiranës, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias. Dokumentari bën fjalë për sfidat, aspiratat, mundësitë dhe frikën e një populli. Duke pasur një kontakt si kurrë më parë me politikanët disidentë dhe intelektualët, regjisori Ishmahil Blagrove ofron një këndvështrim të rrallë të shoqërisë kubane dhe një portretizim të sinqertë të ishullit në këtë moment të rëndësishëm të historisë së vet. Kur të gjitha janë thënë e janë dhe bërë, kubanët vazhdojnë të jenë njerëz shumë praktikë. Kanë jetuar në ishullin e tyre për dekada të tëra në një ekonomi të centralizuar, me mundësi të kufizuara tregtare ndërkombëtare që u ka dhënë këtyre njerëzve aftësinë për të mbijetuar. Kubanët janë mësuar të jetojnë deri edhe me mungesën e ushqimeve bazë. Një grua tregon para kameras bllokun e tollonave për gjithë muajin. “Kam blerë pak fasule, pastë dhëmbësh dhe vaj. Nuk janë shumë, por mendoj ta shtyj”- shprehet ajo. Ndërkohë një djalë i ri ëndërron që një ditë të mund të shohë Piramidat e Egjiptit dhe veshur të ketë një palë atlete Adidas ose Reabook. Amvisat janë praktike në mënyrën e të menduarit; fëmijët e tyre arsimohen pa paguar asgjë dhe shërbimi shëndetësor për të gjithë është falas. “Nëse unë do të sëmurem, për 15 minuta më vjen ambulanca këtu dhe më dërgon menjëherë në spital”- shprehet një i moshuar. Embargoja që SHBA i vuri shtetit komunist të Amerikës Latine pati ndikimin e vet në ekonominë e ishullit. Ekonomia kubaneze u mbajt përmes fijeve të Bashkimit Sovjetik, por pas rënies së tij në fillim të viteve 1990 kubanezët ndjenë akoma më shumë trysninë e një vendi në krizë. Turizmi u pa si drita jeshile për mbijetesën ekonomike të një vendi që qëndronte tashmë i vetëm përballë Amerikës. Por dhe kjo fije ku kubanezët u kapën për të mbijetuar solli të tjera probleme si prostitucionin dhe racizmin. Të intervistuarit në përgjithësi shprehnin vlerësimin për arsimimin dhe kujdesin shëndetësor falas, që solli revolucioni i vitit 1959. Një ish-revolucionar në fakt është zëri më kritik në film. Ai e përshkruan Kubën si një vend në diktaturë komuniste dhe vajton për mungesën e partive opozitare dhe për zgjedhje të lira në këtë vend. Ish-diplomati Oskar Espinoza Çepe u dënua në vitin 2003. Deri në ato moment ai kishte shërbyer në Ambasadën Kubaneze në Jugosllavi. Sot ai është një i dënuar politik. Bashkëshortja e tij e cila punonte në Ministrinë e Jashtme u pushua nga puna, sepse nuk pranoi të divorcohej nga bashkëshorti kur atë e dënuan. Sot ata janë në anën e atyre njerëzve që mendojnë ndryshe për të mirat që solli revolucioni. Por ka nga ata që analizojnë se nëse revolucioni nuk do të mund të mbijetojë pa Kastron do të jetë diçka shumë e trishtuar që këta njerëz kanë sakrifikuar kaq vjet për ideale të cilat nisën pikërisht me këtë njeri. Por Kastro nuk është i vetëm. Shumë kubanezë janë ende të gatshëm për të sakrifikuar në emër të këtyre idealeve. Ky është ndër të rrallët dokumentarë që nuk është xhiruar në mënyrë klandestine, por dy realizuesit kryesorë janë lejuar nga qeveria kubaneze për realizimin e tij. Regjisori Blagrove së bashku me operatorin Yannis Mendez kishin si qëllim që të pasqyronin me saktësi mendimet e njerëzve që hasnin rrugëve të Kubës. Kur dokumentari u shfaq për herë të parë në Londër, atasheu i Ambasadës së Kubës në konferencën për shtyp u shpreh: “Ky është dokumentari më i ekuilibruar i bërë ndonjëherë rreth Kubës dhe njerëzve që jetojnë aty”. Historiani Tomas Fernandez, që është dhe një ndër protagonistët e dokumentarit, u shprehet se liria për të folur hapur në Kubë është rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. “Para 15 vjetëve kjo do të kishte e pakonceptueshme. Një nga problemet që ka sot Kuba është prostitucioni dhe racizmi. E këtë sigurisht e ka ndjerë dhe vetë regjisori Blagrove, një afroamerikan i cili sapo shkeli në Kubë u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës, ndryshe nga kolegët e tij europianë, të cilët i lanë të kalonin pa probleme. Në dokumentarin rreth 59 minuta shpirti, ngjyrat dhe muzika kubaneze vjen përmes intervistave të një psikologu, një intelektuali marksist, një poeti, një promotori muzike, amvisë shtëpie, shoferi taksie, rreper hip-hop, artistë, dhe në fund përmes një djali të dëshpëruar që kërkon të largohet nga Kuba, qoftë dhe për të përmbushur dëshirën e tij për të patur një palë atlete Adidas apo Reabook.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›