E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kubica, aksident i rëndë, rrezikon dorën e djathtë

ITALI- Piloti polak i skuderisë Reno në Formula 1, Robert Kubica, ka mbetur i plagosur sot në Itali, pasi makina e tij u përplas me shpejtësi pas një muri në garën e Rally-t Ronde di Andorra. Aksidenti bëri që Kubica të përfundonte në spital, me fraktura të shumta në dorë, në krah dhe në këmbën e majtë.

Pas operacionit është përjashtuar hipoteza e prerjes së dorës, megjithatë mbetet ende në dyshim nëse piloti polak do të arrijë ta ketë më funksionale apo jo dorën e djathtë. Kubica megjithatë nuk është në rrezik për jetën, ndërsa skuderia Lotus Reno nuk ka qartësuar asgjë në lidhje me të ardhmen e tij në Formula 1, e cila pas afro një muaji do të zhvillojë garën e saj të parë.

Kubica ishte në bordin e një Skoda Fabio, kur makina u përplas 4.6 kilometra nga vendi i nisjes, në lokalitetin e San Lorencos, në komunën Testiko. Ajo doli nga rruga për shkak edhe të asfaltit të rrëshqitshëm, ndërsa pasi bëri një rrotullim 80 gradë, përfundoi pas murit të një kishe. Piloti u nxorr jashtë nga zjarrfikësit, ndërkohë që makina e tij është marrë nga teknikët për qartësime të mëtejshme teknike.

Robert Kubica është një nga pilotët më të njohur në Formula 1, teksa në vitin 2008, në bordin e BMV-së, ai fitoi edhe garën e tij të parë, në Çmimin e Madh të Kanadasë. 

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›