E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Integrim i komunitetit serb në sistemin e drejtësisë së Kosovës

PRISHTINË- Ministria e Drejtësisë dhe Asociacioni i Juristëve Serbë të Kosovës, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi.

Ky memorandum u nënshkrua mes zv/kryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe kryetarit të Asociacionit të Juristëve Serbë të Kosovës, Jovica Çukaloviç dhe ka për qëllim, bashkëpunimin për përpilimin dhe avancimin e legjislacionit primar dhe sekondar, në fushat për të cilat merren vesh gjatë zbatimit të kësaj marrëveshje.

Gjithashtu marrëveshja synon që palët të angazhohen bashkërisht në përgatitjet për zbatimin e ligjeve të rëndësishme të Kosovës.
“Ministria e Drejtësisë ka një qasje të plotë dhe të barabartë për integrimin e komunitetit serb në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe unë besoj që ky është hapi i parë dhe serioz që nga viti 1999, që të kemi një bashkëpunim të drejtpërdrejtë, i cili respekton ligjet e aplikueshme në Kosovë dhe të drejtat e komunitetit serb”, tha ministri Kuçi, pas nënshkrimit të këtij memorandumi.

Ai shtoi se Ministria e Drejtësisë do të jetë shumë e kujdesshme që të bashkëpunojë në të gjitha fushat që janë kompetencë e saj dhe të ketë kushte dhe ambient të përshtatshëm për integrimin e qytetarëve serbë në sistemin gjyqësor e prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Nga anën tjetër, Çukaloviç pasi ka falënderuar ministrin Kuçi për lidhjen e këtij memorandumi të bashkëpunimit, ka folur për rolin e asosiacionit që udhëheq. Ai tha së Lidhja e Juristëve Serbë të Kosovës si asosiacion i pavarur, para së gjithash ka për qëllim të ndihmojë drejtësinë dhe të japë instruksione profesionale në këtë fushë, në veçanti për institucionet serbe të drejtësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›