Kuçi: Të hapur për bashkëpunim me Serbinë
Në takimin me ministrin e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Tomisllav Karamarko, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka përsëritur qëndrimin e Kosovës për të qenë pjesë aktive në luftën kundër krimit dhe dukurive të tjera negative dhe për bashkëpunim me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë. "Kemi një vullnet të dyanshëm edhe në fushën e sigurisë. Mendojmë se luftimi i dukurive negative, krimit të organizuar dhe dukurive tjera, duhet të bëhet me një bashkëpunim të plotë mes dy vendeve tona dhe vendeve në rajon... Të gjitha fushat e bashkëpunimit janë të hapura ndërmjet dy shteteve, që kanë një të kaluar përafërsisht të përbashkët, por mbi të gjitha kanë vullnet të njëjtë për të ardhmen", u shpreh Kuçi pas takimit. Zëvendëskryeministri tha se Kosova ka vullnet të mirë të bashkëpunojë me Kroacinë, por edhe me vendet tjera fqinje, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, por dhe Serbinë". "Besoj se Republika e Kroacisë ka një traditë të mirë në ndërtimin e shtetit, në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkim Evropian", shtoi ai.