E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: 97% e fermerëve përfitues nga Skema Kombëtare në Bujqësi, të disbursuar

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 ka shpërndarë deri tani financimin për rreth 97% të fermerëve aplikantë, ndërsa objektivi është që të gjithë fermerët e kualifikuar të përfitojnë mbështetjen me fonde plotësisht deri në fund të këtij viti.

Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), Ardita Kuçi, në një prononcim për ATSH-në, bëri të ditur se 69 917 fermerë në gjithë vendin janë mbështetur deri më sot, ndërsa pagesat vazhdojnë për përfituesit e tjerë.

Kuçi tha se, në total për Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 kanë aplikuar 71 002 fermerë në shkallë vendi.

Skema ofron mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fara, fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore dhe aromatike, fermat organike, certifikimin Global Gap, si dhe naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

AZHBR nënvizon se programi synon të forcojë mbështetjen për fermerët dhe të avancojë zhvillimin rural në të gjithë vendin. Skemat e mbështetjes konsiderohen si një mundësi reale për të modernizuar bujqësinë shqiptare, për të rritur prodhimin vendas dhe për të nxitur vetëpunësimin në zonat rurale.

Për vitin 2025, Skemës Kombëtare të Investimeve me vlerë 20 milionë euro i janë shtuar edhe dy instrumente të reja financimi: kredia e buta dhe garancia sovrane, duke rritur mundësitë e investimit për fermerët, krahas Skemës së Investimeve.

Procesi i disbursimit të pagesave pritet të përfundojë deri në fund të vitit, duke garantuar që të gjithë fermerët e kualifikuar të marrin mbështetjen e plotë sipas objektivit të Skemës Kombëtare.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›