Kuçi: Askush nuk mund të shantazhojë PDK-në
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka deklaruar se kjo parti nuk mund të shantazhohet nga subjektet e tjera për të formuar koalicionin qeverisës.
Në një intervistë për “RTK”, Kuçi është shprehur se PDK, e cila doli fituese në zgjedhje, ka emëruar tashmë Hashim Thaçin për kryeministër të Kosovës.
“Për PDK-në nuk është problem të ketë një shumicë rreth vetes prej 61 apo 75 deputetësh, prandaj askush të mos llogarisë se mund të na shantazhojë me kërkesa joreale për krijimin e qeverisë”, ka pohuar Kuçi.
Deklarata e tij vjen pas zërave se partitë e tjera si AAK dhe AKR kërkojnë njëra postin e kryeministrit dhe tjetra të presidentit për të formuar koalicionin qeveritar.
Kuçi ka shtuar se PDK po pret çertifikimin e zgjedhjeve për të hyrë në negociata me partitë e tjera për të bashkëqeverisur.