E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: EULEX'it i përfundon mandati në vitin 2014

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka ripërsëritur se me përmbylljen e pavarësisë mbikëqyrur, brenda këtij viti, mbaron edhe puna e ICO-së, ndërsa pas dy viteve edhe EULEX-it, në mënyrë që Kosova të mund të lëvizet me agjendën e integrimeve evropiane.

Këto komente, zëvendëskryeministri Kuçi i ka bërë gjatë raportimit para Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

Kuçi duke folur për procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë ka thënë se po vazhdojnë punët transformimin e kompetencave te institucionet e Kosovës.

“Unë e kam një dokument që, në emër të qeverisë, ia kemi dërguar në tetor të vitit të kaluar se si ta bëjmë transformimin e institucioneve apo të kompetencave nga EULEX-i te institucionet vendore. Unë pres që brenda kësaj jave të shoh çka është pranuar. Kemi pas shumë takime për këtë qëllim. Kemi menduar tri faza. E para është ndarja e përgjegjësive ekzekutive, prokuroria speciale apo e Republikës së Kosovës nuk mund të udhëhiqet vetëm nga EULEX-i”, ka thënë Kuçi.

Ndërsa faza e dytë, sipas tij, duhet të jetë e mbikëqyrjes pasi që është i bindur se, brenda këtij viti, pasi nuk është e mundur që e tëra të bartet te institucionet vendore.

“Logjika jonë ka qenë që të përfundojë brenda viti që nuk është shumë e logjikshme por krejt kjo të përfundojë brenda dy viteve. Nga janari i këtij viti e deri në vitin 2014 edhe misioni i EULEX-it të jetë i përfunduar në Kosovë. Kjo nuk do të thotë që ne po i ikim rendit dhe ligjit por ne po i ngrisim kapacitetet tona. E plotësojmë numrin me gjyqtarë dhe prokurorë, i ngrisim kapacitetet në polici dhe krejt në fund ne lëvizim agjendën tonë nga ajo që është me EULEX-in në atë për integrime evropiane”, ka thënë Kuçi.

Ai, në prezantimin e tij para Komisionit, ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka përpiluar një plan të brendshëm të veprimit, i cili i adreson sfidat e dala nga Raporti i fundit i Progresit dhe masat të cilat janë vlerësuar si hapa të nevojshëm për mënjanimin e sfidave. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë gjithashtu ka ndërmarrë edhe aktivitete të shumta, të cilat identifikohen në takimet e rregullta të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundim të Ligjit, takimet e rregullta me EULEX-in, KGjK-në, KP-në, ICO-në, Ambasadën Amerikane dhe të vendeve të tjera bashkëpunëtore.

Kuçi duket të jetë ndjerë i anashkaluar nga presidentja e Kosovës në përpilimin e listës së emrave të të burgosurve, të cilët, çdo vit, përfitojnë nga amnistia.

“Presidenca i ka dërguar letër të Këshilli korrektues jo te unë, që ka qenë një anashkalim jo korrekt sepse me ligj unë e përfaqësojë ministrinë e drejtësisë, por sido që të jetë unë nuk jam hidhëruar po në asnjë rast nuk e kemi dërguar dikë, sikurse presidenca nuk ka kërkuar sqarim nga unë dhe me ligj thuhet qartë: presidenca mund të kërkojë sqarime nga ministria e drejtësisë për raste ose për individë të caktuar. Deri sot kështu ka ndodhë”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani është interesuan për funksionimin e gjykatave në veri. Për këtë interesim të saj, ministri Kuçi ka thënë se mos funksionimi i gjykatave, në veçanti i Gjykatës së Qarkut në veri, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok ndikon edhe në shkeljen e lirive të njeriut pasi që ka njerëz në burgun e Mitrovicës që mbahen në paraburgim në mungesë të shqyrtimeve edhe më gjatë se sa parashihet me ligj.

“Këshilli Gjyqësor dhe prokuroria ka emëruar gjyqtaret kompetent për këtë dhe përfshihen edhe gjyqtaret serb në Kosovë. Pra janë të gatshëm personeli kurdo që të sigurohen kushtet e sigurisë”, ka thënë Kuçi i cili ka premtuar se do të angazhohet që sistemi të jetë unik në të gjithë Kosovën, të ketë ligje të aplikueshme dhe të njëjta në gjithë Kosovën, si dhe të ketë hierarki të emërimit të gjykatësve dhe prokuroreve nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës. Ndërsa, sa i përket ligji për dëshmitaret e mbrojtur, Kuçi ka thënë se do të hyjë në fuqi në shtator të këtij viti. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›