Ashton: Afër vendimi për Serbinë

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Ashton, ka shprehur shpresën se në vendimin e së martës, do të çohet përpara vendimi për t’i dhënë Serbisë, statusin e kandidatit.
“Kam besuar gjatë se vendi i Serbisë është në Bashkimin Evropian dhe shpresoj se nesër në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme do të shohim se si do të çohet përpara ky vendim”, ka thënë Ashton pas një takimi me presidentin serb, Boris Tadiq.
Nga ana e tij, Tadiq ka premtuar zgjidhjen e problemeve në mënyrë paqësore.
“Ne po bëjmë çdo gjë që është e mundur për të arritur zgjidhje paqësore për problemet që na prekin të gjithë neve, në veçanti në këto ditë sfiduese, me të cilat nënkuptoj, krizën ekonomike”, ka thënë Tadiq.
Gjatë ditës Ashton ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel në javën e kaluar, duke i bërë meritorë për të presidentin Tadiq dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. /rel/