Gjykata Kushtetuese mund ta thotë fjalën për fusnotën

Krasniqi këto komente i ka bërë të hënën pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ku me këtë rast është përcaktuar edhe seanca e radhës e cila do të mbahet më 1 mars.
I pyetur nëse marrëveshja për fusnotën bien në kundërshtim me Kushtetutën Kosovës dhe çështjen e vendosjes për të nga vetëm një person - Hashim Thaçi, Krasniqi nuk ka dashur të flas për emra, por, sipas tij, për këtë çështje duhet interpretimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ne nuk merrem me emra të përveçëm. Por kjo çështje, është apo nuk është në përputhje me kushtetutën. Ju e dini që ne e kemi një institucion të pavarur, i cili e ka të drejtën të interpretoj e fundit vendimet apo ligjet që merren në kundërshtim me kushtetutën dhe kjo është Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa në lidhje me atë se a duhet të ratifikohet kjo marrëveshje në Kuvend, kryekuvendari ka thënë se deri më tash këto marrëveshje kanë pas emrin konkluzione. Sipas tij, ende nuk ka një dokument zyrtar që përcakton, nëse ato janë marrëveshje apo jo.
I pyetur nga mediat se a është humbëse Kosova nga kjo fusnotë, Krasniqi tërthorazi ka pranuar se është humbëse, duke thënë se jo të gjitha zhvillimet në shoqëri janë pozitive.
“Unë nuk jam ai që e përcaktoi, por atë e përcakton marrëveshja dhe tekstet e marrëveshjes. Por një gjë duhet të dimë. Zhvillimet në shoqëri, jo gjithherë kanë ecjen pozitive, zhvillimet në shoqëri mund të kenë edhe kthesa dhe në kthesa gjithnjë jo krejt pozitive do të ketë përfundime pozitive”, ka deklaruar ai.
Krasniqi ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Qeveria nuk është dashur të ngutet në arritjen e kësaj marrëveshje, pasi, siç ka thënë ai, arritja e një kohezioni politik me subjektet do të ishte edhe më e favorshme edhe për qeverinë edhe për institucionet e Kosovës.
Me që është arritur kjo marrëveshje dhe ka marr një përkrahje të fuqishme nga qendrat e vendosjes, Krasniqi ka kërkuar nga këto personalitete dhe vendet e tyre të ndihmojnë Kosovën në rrugën e saj të realizimit të shtetësisë dhe të mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike. (Kosovapress)