E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Jam kthyer me përgjegjësi më të lartë

(E plotesuar) Hajredin Kuçi i është kthyer sërish postit të zëvendëskryeministrit dhe të ministrit të Drejtësisë.

Këtë ai e konfirmoi vetë në një konferencë për media, pas takimit të parë zyrtar që ka zhvilluar me shefin e EULEX-it, Xavier But de Marnac.

Në konferencën për media pas takimit me Marnacun, Kuçi tha se kthehet me përgjegjësi edhe më të larta.

“Unë sot jam kthyer, me përgjegjësi dhe me përkushtim dhe do të vazhdojë aty ku kam mbetur, ndoshta me përgjegjësi edhe më të larta se deri më tani”, u shpreh Kuçi, siç transmeton RTK.

Ai falënderoi kryeministrin Thaçi për angazhimin personal për kthimin e tij duke hequr nenet problematike nga Kodi Penal i Kosovës. Po ashtu, ai shprehu mirënjohje edhe për deputetët, duke thënë se ata treguan vetëdije të lartë shtetërore.

Kuçi falënderoi edhe shefin e EULEX-it, duke thënë se do ta vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me këtë institucion.

“Unë dua ta falënderoj shumë për punën që kemi bërë deri tani dhe jap garanci të plota se si ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër do të punojmë edhe në të ardhmen për punë të mbara për të vendosur rendin dhe ligjin dhe për të angazhuar kapacitetet tona të plota që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji sipas standardeve euroatlantike”, tha Kuçi.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it Xavier But de Marnac, shprehu kënaqësinë për kthimin e Kuçin në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë.

“Jam shumë i lumtur që ministri i Drejtësisë është kthyer sërish në detyrën e tij dhe që pata mundësi të takohem me të”, tha Marnac.

Kuçi kthehet në Qeveri

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi iu rikthye punes së tij në Qeveri. Kështu të paktën njofton Ministria e Drejtësisë. Sipas një njoftimi te kesaj Ministrie, Kuçi sot do të takojë Shefin e EULEX'it, de Marnac.

"Ju njoftojmë së sot e martë 10 korrik 2012, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, do të takohet me Shefin e EULEX-it, Xavier de Marnac", thuhet ne njoftimin e Ministrisë se Drejtësisë.

Thaçi - Kuçit: Kthehu në Qeveri

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi që të kthehet dhe të ushtrojë si detyrën e zëvendëskryeministrit, ashtu edhe atë të ministrit të Drejtësisë.

Kuçi pat dhënë dorëheqje nga të dy postet pas miratimit në Kuvend të Kodit te ri Penal, në të cilin përfshiheshin tri nenet problematike për punën e mediave.

"Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka shqyrtuar shkaqet e ofrimit të dorëheqjes së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të drejtësisë, Hajredin Kuçi, më datën 22 qershor, dhe konstaton se shkaqet që kanë dërguar deri te dorëheqja tanimë nuk ekzistojnë", thuhet në një deklaratë të lëshuar nga kabinetii kryeministrit.

"Kryeministri Thaçi fton zëvendëskryeministrin Kuçi që të vazhdojë me përkushtim dhe përgjegjësi në ushtrimin e funksioneve që ka mbajtur deri më tani në Qeverinë e Republikës së Kosovës", thuhet në komunikatë.

Kuvendi i Kosovës ka vendosur përfundimisht më 5 korrik t’i heqë nga Kodi Penal nenet 37, 38 dhe atë 39, që kanë të bëjnë me penalizimin e mediave dhe gazetarëve.

Ndryshimet në Kodin Penal u vunë në rend dite me shumicë votash duke iu shmangur procedurave të rregullta.

Për dallim nga seanca kur PDK-ja nuk kishte lejuar heqjen e këtyre neneve, kësaj radhe ishte pikërisht kjo parti politike ajo që inicioi ndryshimin e Kodit Penal, ende pa hyrë në fuqi.

Ndonëse vendimi ishte në parim, me votimin e dytë që pritet në seancën e radhës, do të shënohet hera e parë që Kuvendi i Kosovës ndryshon një Ligj apo Kod ende pa hyrë në fuqi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›