Kuçi: Koalicioni menjëherë pas certifikimit të mandateve
Nënkryetari i PDK-së dhe zv-kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, sqaron se partia e tij do t’i paraqesë ofertën subjekteve të tjera politike dhe njëherësh mënyrën e ndërtimit të koalicionit, sapo të certifikohen mandatet.
Kuçi thotë se qëllimi është që pas certifikimit të mandateve, brenda dy javësh të konstituohet Kuvendi i ri dhe të votohet Qeveria në Kuvendin e Kosovës.
“Për PDK-në, në interes të vendit dhe të qytetarëve janë të pranueshme të gjitha bashkëpunimet me të gjitha subjektet politike. Natyrisht do ta bëjmë ofertën me ata që i kemi vijat programore të përafërta, që të bashkohen me politikat zhvillimore me PDK-në”, thekson nënkryetari i PDK-së për gazetën “Lajm”.
Sa i përket emrit të presidentit të ri dhe preferencës së partnerëve ndërkombëtarë për të qenë femër, Hajredin Kuçi pohon se në Kosovë ekziston logjika e barazisë gjinore. Sipas tij, vendit i duhet një president, pa marrë parasysh gjininë, një autoritet politik, moral e njerëzor e kombëtar.
Duke folur për procedurat e përzgjedhjes së presidentit dhe qeverisë, nënkryetari i PDK-së shprehu besimin se rrjedha e ngjarjeve mund të jetë kësisoj: konstituimi i kuvendit dhe i qeverisë, pastaj i presidentit.