“Zëri”: Ofensivë kundër imazhit të Kosovës

Dëmi që i është shkaktuar Kosovës në arenën ndërkombëtare në dy muajt e fundit, vështirë se do të restaurohet për një kohë të gjatë, shkruan e përditshmja “Zëri”.
Akuzat e rënda kundër liderëve politikë e institucionalë të Kosovës, gjatë kësaj kohe, janë publikuar në disa media prestigjioze ndërkombëtare dhe kanë qenë pjesa e debateve në institucione të rëndësishme evropiane.
Këto zhvillime nuk janë politizuar shumë brenda vendit, duke reflektuar një lloj uniteti mes poleve të politikës kosovare, por edhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. Gjithsesi, imazhi i Kosovës jashtë vendit ka rënë nën çdo nivel, duke krijuar një re të zezë mbi shtetin, edhe ashtu të konsideruar si “vrimë e zezë” në rajon, për shkak të ngecjeve në proceset integruese evropiane, shkruan më tej gazeta prishtinase.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës në largim e konsiderojnë të orkestruar fushatën kundër Kosovës që po zhvillohet prej disa muajsh. Blerand Stavileci, ministër në Qeverinë në largim, ka thënë se ngjarjet e fundit janë sulme të pareshtura e të orkestruara nga kuzhinat e armiqve të Kosovës, me qëllimin e vetëm dëmtimin e imazhit të shtetit. Sipas tij, ato që janë thënë në disa media, por edhe në raporte të caktuara, janë akuza pa kurrfarë faktesh e argumentesh, të ricikluara nga qarqe të cilët janë kundër progresit në Kosovë. Stavileci mendon se është koha që Kosova të veprojë me unitet të plotë për t’iu kundërpërgjigjur këtyre shpifjeve.
Përveç raportit të eurodeputetit zviceran Dik Marti, gjatë kësaj periudhe në disa artikuj të botuar në mediat evropiane, si “The Guardian”, “Le Monde”, “The Economist”, “The Telegraph”, Kosova është përshkruar si një shtet i krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke inkriminuar elitën e saj politike në veprime kriminale të ndryshme.
Kjo pasqyrë e krijuar për Kosovën, sipas analistëve politikë, i ngjan një fushate mediale kundër shtetit më të ri në Evropë, me qëllim të dëmtimit të imazhit të saj.