E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Serbia të mos ndërhyj në Kosovë

(E plotësuar) Qeveria e Kosovës i kërkoi Beogradit zyrtar që të ketë “sjellje evropiane” karshi rajonit - përfshirë Kosovën, që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.

Këtë kërkesë e bëri të ditur, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi duke komentuar vendimin e Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale edhe në territorin e Kosovës.

I pyetur nëse Bashkimi Evropian do të duhej ta ndëshkonte shtetin serb në rrugën e tij evropiane për shkak të këtij zhvillimi, Kuçi u shpreh:

“Kosova s’e ka logjikën që t’u krijohen pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos e pengojnë Kosovën. Kjo është logjika jonë; ky është shteti ynë; ky është funksioni ynë. Nuk e kemi ndërmend ta dëmtojmë krejt rajonin për veprimet e të tjerëve”, tha ai.

Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht shtetit serb që të mos planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa pat theksuar rëndësinë e zhbërjes, sa më parë, të strukturave paralele serbe në vend.

Përmirësimi i raporteve me Kosovën u bë, së fundi, parakusht për avancimin evropian të Serbisë.

Megjithatë, zyrtarët serbë njoftuan një ditë më parë se zgjedhjet lokale do të mbahen “në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht nëse janë në jug apo veri të Kosovës”.

“Po zgjerohet fronti i shteteve që kundërshton zgjedhjet në Kosovë”

Shefi i ekipit serb në dialogun me Prishtinën, Borisllav Stefanoviq ka deklaruar se gjithnjë e më tepër po zgjerohet fronti i shteteve në Bashkësinë Ndërkombëtare të cilat janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por që është i bindur se Serbia do të marrë vendimin më të mirë të mundshëm.

Borisllav Stefanoviq ka porositur serbët e Kosovës se duhet të dinë që shteti asnjëherë nuk do t’i lë dhe se gjithnjë do të jetë me ta.

“Organet shtetërore, kur të jetë momenti për marrje të vendimit, para së gjithash do ta ketë parasysh kushtetutën tonë dhe ligjin, rezolutën 1244, si dhe rrethanat në Kosovë”, është shprehur Stefanoviq për mediat serbe.

Në pyetjen nëse mosmbajtja eventuale e zgjedhjeve në Kosovë do të rrezikonte mbetjen e institucioneve në veri të Kosovës, Stefanoviq është përgjigjur se ato institucione nuk i garantojnë zgjedhjet, por se, para së gjithash, varen nga financimi i atyre institucioneve që funksionojnë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›