Kacin: Kosova e ndihmoi Serbinë në marrjen kandidaturës

“Ajo që ka arritur Serbia është një hap i madh përpara jo vetëm për Serbinë, por për të gjitha shtetet fqinjë. Serbia nuk ka qenë gjithmonë promotore e integrimit dhe anëtarësimit pasi siç e dini ajo shumë shpesh iu ka shkaktuar dëme të mëdha vendeve fqinje, sidomos Kosovës”, ka thënë Kaçin.
Në një intervistë dhënë për RTV21, Kacin ka thënë se “me fillimin e dialogut dhe me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, sidomos me këtë të fundit që do t’i mundësojë Kosovës që të dalë nga bllokada dhe të mund të jetë pjesë e organizimeve të ndryshme ndërkombëtare, ky mund të themi se është ndryshim pozitiv”.
“Është një situatë e re kur Serbia nga suksesi i vet do të sjellë përfitime kolaterale për Bosnjën, Malin e Zi Kosovën dhe Maqedoninë”, është shprehur Kacin.
Ndërkaq, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po shkakton keqkuptim tek gjeneratat e reja dhe po punon kundër integrimit të Kosovës. “Populizimi nuk ju çon askund, është nevojë që t’u shpjegohet njerëzve gjithçka që po ndodh dhe ajo që po ndodh me Vetëvendosjen është një keqkuptim që po shkaktojnë tek gjeneratat e reja", ka thënë pos tjerash Kacin.