E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt fundit të mbikëqyrjes së pavarësisë

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka deklaruar se institucioneve të Kosovës u kanë mbetur edhe 3 apo 4 muaj të përfundojnë të gjitha detyrat që kanë të bëjnë me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Ndërkohë që zëvendësi i tij, Hajredin Kuçi, ka deklaruar se përfundimi i pavarësisë së Kosovës nuk ndërlidhet edhe me çështjen e veriut të vendit.

Thaçi ka thënë se janë hartuar dokumentet e përbashkëta të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe spektrit politik kosovar, gjithashtu është marr mbështetja e plotë e Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GDN), që ky proces i përmbylljes së pavarësisë të përmbyllet në një periudhë sa më shpejt që është e mundshme, sa më suksesshëm që është e mundur.

Shefi i qeverisë ka thënë se afati për përfundimin e këtyre obligimeve është fundi i qershorit apo fillimi i korrikut, dhe pastaj me një ceremoni solemne përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës.

“Koha po afrohet. Ne duhet të lëvizim me dinamikën e paraparë dhe të planifikuar. Duhet definitivisht deri në fund të qershorit, fillimi i korrikut që ne t’i kryejmë të gjitha obligimet tona që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisari. Kur flas ne qeveria, parlamenti, presidenca gjitha institucionet lokale. Pra, ta kalojmë atë agjendë të planifikuar në mënyrë që jo më vonë se shtatori në një ceremoni, në një solemnitet dhe organizim solemn ceremonial të përmbyllim kah mesi i shtatorit të këtij viti procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se puna më e madhe mbetet nga qeveria dhe parlamenti, por mbi të gjitha nga parlamenti. Sipas tij, do të ishte me interes që gjëra që i lëviz qeveria nuk duhet të humbasin as edhe një ditë më tutje.

Thaçi ka thënë se ky proces është duke u përcjellë me reforma dhe ndryshime kushtetuese, duke shtuar se këto ndryshime do të fuqizojnë shtetin e Kosovës në mënyrë që të funksionoj si shtet me kompetenca të plota.

Ai ka informuar se Grupi Punues i Qeverisë ka përgatitur të gjitha amandamentet për kushtetutë dhe ligje.

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, pas mbajtjes së mbledhjes së qeverisë, gjatë konferencës për media ka thënë se çështja e veriut nuk do të jetë peng i përmbylljes së mbikëqyrur të pavarësisë së vendit.

“Kemi shprehur dilema për veriun. Por nuk guxojmë në përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, të lëmë peng zhvillimeve në veri e aq më pak të japim të drejtën e vetos dikujt në veri për zhvillimet që mund të jenë në pjesën tjetër të Kosovës. Po ashtu, duhet të pranojmë një fakt që ICO-ja nuk ka mundur me jap suksese në vend dhe nuk mund të japim askujt të drejt të vazhdoj mandatin edhe për katër vite me supozimin që mund të bëjë diçka në veri. Në veri, ka nevojë për rend dhe ligj. KFOR-i duhet të luaj rolin e vet pak më shumë, EULEX-i pastaj Bashkimi Evropian, SHBA dhe tjerë”, ka theksuar Kuçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova e përfundon mbikëqyrjen e pavarësisë, por nuk e përfundon bashkëpunimin me akterët ndërkombëtar.

Të rikujtojmë që në janar të këtij viti, Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka mbajtur një takim, ku ka diskutuar rreth implementimin të dokumentit të presidentit Ahtisari. Gjithashtu, në atë takim, është vendosur që pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës duhet të përfundoj brenda vitit 2012. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›