E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi: Veriu, çështje më shumë politike se sa e drejtësisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Drejtësisë Hajredin Kuçi, ka thënë se Qeveria e Kosovës në vitin e ardhshëm do të jetë e përkushtuar në plotësimin e kërkesave që dalin nga raportet me BE-në, në veçanti liberalizimin e vizave dhe marrëdhëniet tregtare.

Ai këto komente i bëri të shtunën gjatë një konference për media, ku ka prezantuar të arriturat e Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit që po lamë pas.

Duke folur për pjesën veriore të Kosovës, ku serbët e rebeluar kanë vendosur barrikada që prej muajit korrik në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31, ministri Kuçi ka potencuar se veriu është më shumë çështje politike se sa e drejtësisë.

“Çështja e veriut është çështje më shumë politike dhe e sigurisë se sa e drejtësisë. Duhet të krijohet ambienti politik dhe i sigurisë. Gjyqtarët dhe prokurorët tanë dhe stafi administrativ është i gatshëm t’i kryejë detyrat e veta. Tanimë ka aktakuza për personat që kanë bërë shkelje të ligjit atje dhe tani më ka edhe fletarreste që kanë bërë veprime të tilla. Drejtësia është e vështirë të fitohet deri në fund, por nuk është e pashpresë, dhe unë po e them atë se ata që kanë telashe me ligjin në atë pjesë do të ballafaqohen me ligjin”, ka thënë ai.

Sipas Kuçit, një çështje shumë me rëndësi për vitin 2012, për Qeverinë e Kosovës do të jetë përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur, pas së cilës do të vijë deri te bartja e kompetencave nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore.

“Angazhimi ynë do të jetë në përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur, ky do të jetë viti 2012. I dyti do të jetë përkushtimi ynë në plotësimin e kërkesave që dalin nga raportet tona me BE-në, në veçanti liberalizimin e vizave, marrëdhëniet tregtare dhe për anëtarësimin në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim dhe angazhimi ynë do të jetë për rend dhe ligj dhe për ekonomi. Sa i përket angazhimit në veri ne presim që të kemi angazhime të shtuara në koordinim të plotë edhe me KFOR-në dhe EULEX-in dhe presim që atje të ketë respektim të tërësisë territoriale, sovraniteti të plotë dhe funksionalizim të institucioneve tona”, ka thënë ai.

Kuçi ka thënë se tashmë kanë dorëzuar një dokument në Bruksel, i cili pasqyron një plan të detajuar për bartjen e kompetencave nga EULEX-it, tek organet e drejtësisë së Kosovës.

“Unë besoj se fundi i janarit do ta zë Kosovën dhe misionin e EULEX-it me një plan konkret si do të bëhet përfundimi i atij misioni. Natyrisht me përfundim të përshkallëzuar jo të përnjëhershëm dhe me mundësi që ngritja e kapaciteteve tona funksionalizimi i rendit dhe ligjit të jetë si rezultat i vlerësimit pozitiv për Kosovën për tërheqjen e EULEX-it. Unë jam i bindur se është për këto çështje kemi biseduar ka raste që do të vazhdojë EULEX-i dhe ka raste të cilat do t’i marrin organet tona të drejtësisë, por në cilin do rast duhet të punojmë në tri faza, janë të detajuara është në një dokument shumë seriozë”, ka thënë Kuçi.

Ndërkaq duke folur për të arriturat gjatë vitit 2011, Kuçi ka potencuar se Ministria e Drejtësisë ka realizuar progres të dukshëm në shumë fusha brenda fushëveprimit, kompetencave dhe kapaciteteve të saj.

Sipas tij që nga marrja e detyrës së ministrit të Drejtësisë, gjatë kësaj periudhe kjo ministri ka themeluar Këshillin Prokurorial të Kosovës, gjithashtu është vënë gurthemeli i Pallatit të Drejtësisë dhe i Burgut të Sigurisë së lartë, janë ndërmarrë hapa konkret për transferimin e Divizionit për integrim gjyqësor në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe është hartuar Plani Zhvillimor Strategjik për vitin 2012-2016. (KP)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›