E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi insiston në idenë e tij për traktat paqeje

Ideja e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi që Kosova të bëjë një traktat të paqes me Serbinë, ka nxitur reagime tek lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova nuk mund të bëjë traktat pasi që nuk ka ushtri dhe një Traktat i Paqes ishte Marrëveshja e Kumanovës ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë së Jugosllavisë. Por zëvendëskryeministri, Kuçi vazhdon të përkrah idenë e tij, duke thënë se pas çdo konflikti mes dy shteteve vendoset një traktat i paqes. Ai, gjithashtu, ka thënë se rezoluta 1244 nuk i ‘bie tamam’ Kosovës dhe është një rezolutë e tejkaluar.

I dyti i Qeverisë këto komente i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me stafin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Pas prononcimit të tij, të një dite më parë, për të lidhur një trakti të paqes mes Kosovës dhe Serbisë, ka pasur reagimi i Albin Kurtit, i cili në një kolumne të tij, të botuar sot, ka thënë se traktat i bëjnë ushtritë mes dy vendeve, ndërsa Kosova nuk ka ushtri.

E Kuçi edhe pse nuk e ka lexuar komentin e Kurtit, ka thënë se pas çdo konflikti ndërshtetëror vendoset traktati i paqes.

“Ajo çka mund të them është se Kosova i ka kaluar dy faza, fazën e mbijetesës që ka ardhur me lirinë e Kosovës dhe fazën e pavarësisë që ka ardhur me 17 shkurt 2008. Kosova duhet të fitoj paqen e përjetshme, harmoninë me qytetarët e vendit dhe paqen e përjetshme me fqinjët. Dhe po e them kështu jo me i harruar armiqësitë e të kaluarës, por me kriju paqe për gjeneratat që do të vijën. Dhe çdo vend në botë pas një konflikti ndërshtetëror përfundon me një traktat të paqes dhe vetëm atëherë ka kuptim paqja e përhershme”, ka theksuar Kuçi.

Për më tepër, ai ka shtuar se Kosova ka krijuar paqe me veten edhe me qytetarët serb dhe se këtë edhe Serbia duhet ta bëjë me të tjerët.

Ndërkohë në lidhje me deklaratat që ka dhënë më herët se EULEX-i duhet të jetë jashtë rezolutës 1244 dhe mundësia e shkaktimit të turbullirave në veri, pasi që nuk e pranojnë, Kuçi ka thënë se rezoluta 1244 një kohë ka qenë e mirë për Kosovën, por tash është e tejkaluar.

“Rezoluta 1244 ka luajtur një rol deri më 15 qershor të vitit 2008 nënkupton deri sa ka hyrë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pastaj ka filluar që të bëhet pengesë në kuptimin e mandatit të UNMIK-ut dhe të tjerëve. Ajo rezolutë ka qenë e mirë për një kohë dhe tani është e papërdorshme dhe unë e them si jurist, kur një ligj nuk i bie tamam një populli ndërrohet ligji e jo populli. Kosovës nuk i bie tamam rezoluta 1244. Për veriun e Kosovës vlen dhe duhet të vlej Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Zyrtarët qeveritar shpesh janë deklaruar se mandati i EULEX-it, nuk do të përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për këtë duhet të vendoset në parlament me 2/3 e deputetëve të Kosovës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›