E Shtunë, 31 Tetor 2026

Judah: Nikolliq e sheh Kosovën me thjerrëza antike

“Nikolliq është i shkëputur nga realiteti dhe e sheh gjendjen në Kosovë me thjerrëza të vjetruara”, ka thënë publicisti britanik, Tim Judah.

Sipas tij, nëse presidenti serb Nikolliq këmbëngul me këtë qëndrim, atëherë dialogu eventual me Kosovën, nuk do të çojë askund.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-Serbia, publicisti Tim Judah ka thënë se qeverisë së re në Serbi do t’i duhet pak kohë që të vendosë se çfarë do në të vërtetë të bëjë me Kosovën, cilat janë qëllimet e tyre në dialogun e ripërtërirë.

“Mendoj se do t’iu duhet pak kohë që t’i përshtaten realitetit të ri, sepse, nga ajo që zoti Nikolliq po thotë, mua më duket se ai është shumë, shumë i shkëputur nga realiteti i ri i Kosovës, si në terren, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Siç e shihni, ai po flet për disa ide që kanë qarkulluar gjatë vitit 1999. Mendoj se do të marrë pak kohë për qeverinë e re dhe njerëzit e rinj që t’i përshtaten realitetit dhe të vendosin se si duan të vazhdojnë”, ka thënë ai.

Duke folur për deklaratat e presidentit serb Tomisllav Nikoliq në raport me Kosovën, Tim Judah ka thënë se është befasuese që ai po flet me shprehje aq të vjetruar, por se sa gjatë duhet pritur që ai të ndalojë së foluri me shprehje të tilla të vjetruara.

“Por, supozoj se meqë Serbia do ta gjejë veten disi të bllokuar mbi çështjen e Kosovës, nëse vazhdon të flasë kështu, supozoj se nuk do të marrë shumë kohë. Por, nëse ai këmbëngul që të flasë në këtë mënyrë, dialogu nuk do të çojë askund”, ka thënë ai duke shtuar se duhet të qetësohet, t’i përshtatet realitetit të Serbisë në vitin 2012, pasi ai duket se ende po i shikon gjërat përmes formës së vjetër, përmes thjerrëzave antike.

“Është befasuese se si këshilltarët e tij nuk i kanë dhënë këshilla më të mira, sepse thjesht këto gjëra nuk përkojnë me realitetin, janë të shkëputura nga bota e vërtetë. Është befasuese se ai duket se ende po flet si politikan opozitar tashmë kur nuk është më në atë pozitë”, ka thënë ndër të tjera, për REL, Tim Judah.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›