MPJ intensifikon lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare

Përveç rregullimit të marrëdhënieve të caktuara konkret, forcimit të raporteve me shtetet në fjalë, lidhja e marrëveshjeve ndërkombëtare nga MPJ po konsiderohet edhe si mjet i rëndësishëm për avancimin e proceseve integruese dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.
Vetëm gjatë vitit 2012, Ministria e Punëve te Jashtme në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe institucionet tjera ka bashkërenduar procesin e lidhjes se 11 marrëveshjeve ndërshtetërore dypalëshe në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar juridik, promovimit dhe mbrojtjes se investimeve, riatdhesimit etj.
Po ashtu, gjatë vitit, MPJ në bashkëpunim me ministritë e tjera ka dërguar nisma për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e ekonomisë dhe tregtisë dhe me vendet jashtë BE-se, si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Kuvajti, Katari. Si rezultat i këtyre nismave dy nga këto shtete janë përgjigjur me vullnetin për fillimin e negociatave gjatë këtij viti.
Artan Behrami, këshilltar për Medie i ministrit Hoxhaj lidhur me këtë çështje ka thënë se Republika e Kosovës tashmë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe me shumicën e shteteve anëtare të BE-së, SHBA-në dhe vendet e rajonit.
“Si rezultat i nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe ndërshtetërore, është thelluar bashkëpunimi ndërshtetëror me këto shtete dhe është themeluar baza kontraktuale në shumë fusha të rëndësisë së veçantë si: bashkëpunimi ekonomik, mbrojtja dhe promovimi reciprok i investimeve, bashkëpunimi doganor, fusha e sigurisë dhe policisë, riatdhesimi, transporti rrugor, bashkëpunimi juridik ndërkombëtar, bashkëpunimi zhvillimor, asistenca teknike, etj”, tha Behrami.
Sipas tij, Lidhja e këtyre marrëveshjeve kontribuon fuqishëm në forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe mbështetjen e shteteve të fuqishme, sidomos në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, nënshkrimi i marrëveshjeve për riatdhesim me 15 vende anëtare të BE-së dhe rajonit ka kontribuar në plotësimin e detyrimeve të Republikës së Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Behrami.
Në këtë aspekt, ai theksoi se MPJ në bashkëpunim edhe me ministritë tjera, është duke i kushtuar përparësi të veçantë lidhjes së marrëveshjeve që kontribuojnë në plotësimin e kritereve që ndërlidhën me procesin e integrimeve të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Nënshkrimi i një numri të madh të marrëveshjeve me shtetet fqinje (Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë), po ashtu, ka kontribuar fuqishëm në konsolidimin e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe krijimin e një klime të qëndrueshme të fqinjësisë së mirë”, tha Artan Behrami.
Që nga data 17 shkurt 2008 e deri më sot janë nënshkruar 94 marrëveshje dypalëshe ndërshtetërore të reja në emër te Qeverisë së Republikës së Kosovës. Procesi i negociimit, lidhjes së marrëveshjeve dypalëshe dhe udhëheqjes e përfundimit të procedurave të hyrjes së tyre në fuqi është bashkërenduar nga Ministria e Punëve te Jashtme.