Kuçi, në mbështjetje të deklaratave të Rexhepit

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar të ketë përplasje mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, ndërkohë që ka dalë në mbrojtje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili ka thënë se “s`ka hair prej tyre, ruana zot prej EULEX-it”.
Ministri Rexhepi ka nisur “betejën” me misionin evropian në Kosovë, për të cilën është kritikuar nga zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, i cili ka thënë se do të kërkojë raport nga Rexhepi.
Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar të mërkurën se nuk dëshiron të merret me deklaratat individuale, por ka shtuar se ministri Rexhepi nuk e ka kritikuar EULEX-in për punë, por për mos zhvillim të punës”.
“Unë nuk merrem me deklarata individuale, por ajo që mund të them është se edhe ministri Rexhepi, edhe unë dhe të tjerët, dëshirojmë rend dhe ligj dhe këtu dëshirojmë të kemi bashkëpunimin me EULEX-in”.
“Nuk po e kritikon zoti Rexhepi EULEX-in, pse po punon, por pse nuk po punon. Edhe mua ka dikush të drejtë të më kritikojë në këtë drejtim. Ndërsa me zotin Sparkes besoj se ka raporte korrekte edhe zoti Rexhepi edhe të tjerët”, ka thënë Kuçi.