E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuçi ripërsërit se nuk ka ndryshim të koalicionit qeverisës

Paralajmërimet për ndryshim të koalicionit qeverisës, Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi i ka quajtur spekulime të mediave.

“Ajo është çështje spekulative e mediave. Ajo çka duhet të them çështja e veriut, reforma zgjedhore, rendi dhe ligji, reforma, integrimi evropian, janë çështje që i takojnë tërë spektrit politik, nuk i takojnë një partie politike, nuk i takojnë një qeverie dhe këtu nuk ka seleksionim negativ”, ka thënë ai.

Për mundësinë e hyrjes në koalicion të AAK-së dhe daljes së AKR-së, ai ka thënë se për çdo gjë Partia Demokratike do të informojë qytetarët dhe nuk do t’i befasojë.

“Nuk është menduar një koalicion i tillë, unë dua të them se koalicioni po funksionon mirë, po i implementojmë politikat që kemi paraparë. Çdo gjë që ndodh nuk ndodh në befasi. Partia Demokratike e Kosovës nuk i befason opinionin publik, nuk i befason partnerët, por bënë partneritet të sinqertë. Ka dëshirë që partnerët të jenë stabil dhe ka dëshirë që të implementojë të gjitha ato që i kemi premtuar qytetarëve”, ka theksuar Kuçi.

Për më tepër ai ka shtuar se në këtë vend ka një koalicion, që siç e ka quajtur ai në thonjëza të dhunshëm që duhet të ketë komunitete, ndërsa ka shtuar se çdo parti politike shqiptare është e mirëseardhur.

Ndërsa, ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dhënë qëndrimin e vet se zgjidhja për veriun është në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Presidentit Ahtisaari, duke mohuar që po kthehen gjashtë pikat e Ban Ki Moonit për veriun e vendit. Ndërkohë për çështjen e koalicionit, ai ka thënë se ato që janë thënë në media janë spekulative dhe nuk është diskutuar për ndërrim të partnerëve.

Pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Kuçi ka dal në një konferencë për media të enjten, duke thënë se Kosova e ka shpreh qëndrimin e vet edhe Presidentja e ka shpreh qëndrimin e qartë që çdo zgjidhje do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe Pakos së Ahtisaarit.

I pyetur se a po kthehen gjashtë pikat e Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, me që po paralajmërohet fillimi i një dialogu për veriun e vendit, duke përfshirë edhe Serbinë, Kuçi ka thënë se Kosova nuk do të bisedojë në dialog për çështje të tilla.

”Unë besoj se kjo nuk është çështje që mund të bisedojmë, se Kosova nuk po futet në dialog me çështje të tilla dhe çështja e vizitës së Ban Ki Moon, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, është një lajm i mirë për Kosovën, është një lajm i mirë për rajonin, është një koncentrim i tij dhe i OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë dhe besoj që nuk duhet të ndërlidhet ndonjë paragjykim tjetër, por një veprim të drejt që përbënë zotëri Ban Ki Moon”, ka theksuar Kuçi.

Ndërkohë a ka presion nga faktori ndërkombëtar për hyrë në dialog Kosova me Serbinë për veriun e vendit, Kuçi ka thënë se Kosova është në fazën më të mirë të historisë së vet të bashkëpunimit me ndërkombëtarët, në fazën më të mirë me SHBA-të dhe Unionin Evropian.

“Natyrisht jemi të interesuar edhe për një fqinjësi të mirë me gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, por fqinjësi që respekton sovranitetin e njëri tjetrit, pavarësinë e njëri tjetrit dhe që respekton do të thoja identitetet nacionale dhe shtetërore që kemi krijuar”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›