E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari që do të vlerësojë pedagogët

Universiteti i Tiranës vlerëson lëndët dhe pedagogët. Qëllimi, sistem arsimor më i mirë Studentët pyeten për tri pika: Lëndën, pedagogun dhe infrastrukturën e fakultetit


Më në fund, Universiteti i Tiranës ka gati pyetësorin që do të gjykojë profesorët dhe procesin e mësimdhënies.


Në fillim të semestrit të dytë të vitit akademik (disa fakultete, tashmë, kanë përfunduar sezonin e provimeve e disa jo), të gjithë studentët do të kenë në dorë formularin, nëpërmjet të cilit do të vlerësojnë pedagogët. Formulari, tashmë, ka shkuar në të gjitha fakultetet dhe studentëve nuk u mbetet gjë tjetër vçse të japin vlerësimin e tyre.


Pyetësori është ndarë në tri pjesë, të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin e lëndës, të pedagogut, si dhe të infrastrukturës së institucionit arsimor. Në fund është lënë një hapësirë për komentet që mund të kenë studentët.


Për çdo temë janë hartuar pyetje të ndryshme, në mënyrë që të merret një opinion sa më i saktë nga studenti. Kështu, për sa i përket temës së parë, vlerësimit të lëndës, studentët pyeten nëse kanë fituar njohuri mbi terminologjinë, metodat dhe tendencat.


Nëse kanë përvetësuar parimet, konceptet dhe teoritë bazë, nëse është përmirësuar të menduarit logjik dhe aftësitë e tyre për zgjidhjen e problemeve dhe marrjen e vendimeve, apo nëse gjatë zhvillimit të lëndës, në leksione janë përfshirë shembujt realë dhe aplikime praktike.


Për figurën e pedagogut do të ketë pyetje si: Pedagogu përdor një metodë efektive vlerësimi në provimet, detyrën e kursit dhe seminaret; pedagogu është i aftë të shprehë idetë dhe mendimet qartë, duke përdorur një gjuhë të kuptueshme, apo si do ta klasifikonit cilësinë e mësimdhënies. Vlerësimi i infrastrukturës së fakultetit do të bëhet nëpërmjet pyetjeve tip si p.sh., - a ju ka ndihmuar biblioteka e fakultetit me literaturën e nevojshme?


Në vesh të rektoratit do të kenë shkuar ndoshta shumë ankesa për sekretaritë e shkollave, pasi në këtë pyetësor ka pyetje që kanë të bëjnë me këto zyra. Kush ka ndjekur universitetin është përballur jo pak herë më vonesat e stërzgjatura prapa sekretarive mësimore, e në disa raste të tjera nëpër këto zyra u kanë humbur edhe dokumente të rëndësishme siç është dëftesa e shkollës së mesme.


Për të vlerësuar këto hallka të universitetit, studentët kanë në dispozicion një shkallë vlerësimi ku përfshihen vlerësimet shkëlqyer, mirë, mesatar, mjaftueshëm dhe dobët.


Të dhëna që do të grumbullohen nga rektorati dhe fakultetet e Universitetit të Tiranës, kanë për qëllim identifikimin e problematikave dhe marrjen e masave të nevojshme që do të mundësojnë zvogëlimin e tyre. Në këtë mënyrë mund të shpresojmë për një të ardhme më të mirë të institucioneve publike të arsimit të lartë.


Nxënësit kundërshtojnë koeficientin e universitetit

Korçë - Pas protestave të disa kohëve më parë, maturantët e njërit prej gjimnazeve më të mëdha në juglindje bojkotojnë mësimin. Shkak i kësaj iniciative është bërë një vendim i papritur Ministrisë së Arsimit që lidhet me koeficientin e ulët që do dëmtojë interesat e tyre.


Gjatë paradites të së hënës maturantët e shkollës së mesme të përgjithshme "Raqi Qirinxhi" në Korçë i kanë thënë "jo" mësimit të tyre pas njoftimit për trajtimin me koeficient të ulët, për shkak të sistemit shkollor dy gjuhësh shqip-frëngjisht, në të cilën ata bëjnë pjesë.


30 maturantët që preken nga ky koeficient pretendojnë se nuk janë trajtuar njësoj si nxënësit e tjerë të shkollave të mesme. Ata do të vlerësohen me një koeficient të ulët dhe jo me koeficientin 1.4, gjë që rrezikon njëkohësisht uljen e pikëve për pranimin në universitet, duke iu hequr në këtë mënyrë të drejtën e konkurrimit të barabartë me maturantët e tjerë të vendit.


Situata për ta duket e padrejtë, për këtë kanë ndërmarrë dhe iniciativën e tyre të parë, duke pezulluar gjatë ditës së hënë mësimin. Drejtori i gjimnazit të njohur në juglindje "Raqi Qirinxhi", Vladimir Prifti, thotë për gazetën se trajtimi i vçantë i kësaj shkolle ka qenë i padrejtë, si pasojë e mosnjohjes së programit që kryhet në këtë gjimnaz.


Sipas drejtorit Prifti, gjimnazi "Raqi Qirinxhi" është një nga shkollat e mesme me rezultatet më të larta në rang vendi të atyre që mësojnë në të dhe nxënësit pavarësisht nga mesatarja e lartë rrezikojnë të mos zgjedhin degët e preferuara për arsimin e lartë, pasi do të jenë të kushtëzuar nga koeficienti i ulët i përcaktuar nga MASH.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›