Kufijtë e euforisë
Ka një intensifikim të kërkesave për ndryshime në qeveri; ditët e fundit, edhe nga brenda opozitës, nga deputetë të grupit parlamentar të saj. Në të vërtetë, shumë prej tyre (siç është vënë re edhe në TV,) këto ditë kanë qenë mjaft të preokupuar për përfundimet e Ligës së Futbollit dhe për "çështjet" sportive në përgjithësi. Por kërkesa për ndryshime në qeveri, është formuluar tashmë (madje disa herë) edhe nga aleatët e demokratëve. Nga ana tjetër, përfaqësues të opozitës vijojnë ta kryqëzojnë administratën e kryeministrit Berisha dhe atë vetë për mosrealizime, për korrupsion dhe për mosmbajtje premtimesh. Po cila është tabloja (qeverisëse), ndaj së cilës disa ende kanë mbetur admirues pa kushte, kurse të tjerë e shohin si një ekip mjaft të lodhur? Në qeverinë aktuale të shqiptarëve, njëri nga ministrat është pa imunitet. Vendi i zv/Kryeministrit ka mbetur vakant. Përqark Ministrit të Shëndetësisë,ka një tufë mtonjësish, dikur miq e vartës partiakë të tij, që sot e akuzojnë për abuzime dhe ndërkaq kërkojnë nga shefi i tyre i madh (Sali Berisha) ta shkarkojë. Vetë z.Ndoka ka kërkuar shkarkimin e zëvendësministrave (dikur të tij) që ende përfaqësojnë në këtë qeveri kakofonike Partinë Demokristiane. Raportet me aleatin kryesor, përndryshe Partinë Republikane, pas "ikjes" së z.Mediu, po përjetojnë një nonsens të paparë. Më tej, drejtorë të rëndësishëm të administratës, si ai i Tatimeve, janë përballë akuzash e në proces gjyqësor. Diku në qiellin e metropolit shqiptar, ka mbetur ende mjaft e dukshme shtëllunga e shpërthimit të 15 marsit në Gërdec; aty gjenden edhe një tufë me pikëpyetje për rolin e qeverisë në këtë katastrofë. Kanë mbetur pothuaj pezull hetimet për tragjedinë; imuniteti i ish-Ministrit të dorëhequr (mjaft i lakuar në krahasim me gjeneralët e tij), po tërkuzet nëpër rreshtat e hartimit që politika po shkruan këto ditë, në lidhje me kufizimin e imunitetit (ashtu në përgjithësi). Ndërkaq, me turin e tij disaditor nëpër Shqipëri, (nën okelion euforike "Shqipëria në NATO") kryeministri Berisha nuk arriti dot të bindë shqiptarët - madje as vartësit dhe aleatët e vet politikë - se kësaj qeverie i shkojnë punët vaj. Me gjithë përpjekjet për sa më shumë përurime, si edhe këmbënguljen për të pasqyruar gjatë e gjerë nëpër media turin në fjalë, pikëpyetjet janë më të forta se vetë nisma e Kryeministrit.
Në u kthefshim sadopak prapa në këtë temë, duhet thënë se shumëkush mendonte që Gërdeci mund ta kishte rrëzuar qeverinë "Berisha"; sa për viktimat e shumta, aq edhe për mosfunksionimin e shtetit në tërësi, (SHISH-i, SHIU, Tatimet, Sigurimet Shoqërore, etj.) Shtylla (kryesore) mbi të cilën është mbështetur jetëgjatësia e qeverisë, duket se ka qenë dhe mbetet stabiliteti politik i vendit. Më mirë: kërkesa e ndërkombëtarëve dhe e vetë shqiptarëve për një gjë të tillë. Nga sa duket, opozita nuk përpiqet ta trandë (posaçërisht) këtë shtyllë. Ka shumë mundësi, është edhe e natyrshme për një vend sadopak serioz, që formacioni politik, fitues i zgjedhjeve të 3 korrikut të vitit 2005, ta çojë deri në fund (e pothuaj qetësisht) mandatin e tij. Askush nuk mund të parashikojënë se kjo klimë edhe më tej do të jetë po kaq "rozë"; por gjasat janë që e tillë të mbetet. Problemi që shtrohet, është diçka më tepër se sa thjesht atmosferë (politike, të themi). Droja ka të bëjë pikërisht me atë që mund të quhet shtyllë e stabilitetit; dhe që mund të shndërrohet në patericë, sikundër mund të jenë shndërruar tashmë disa nga shtyllat e tjera: premtimet sociale, antikorrupsioni, etj. Një stabilitet për stabilitet, përkrah nevojës për reforma më të thella dhe në kushtet e veprimtarisë së mekur të qeverisë, nuk do t'i bënte mirë vendit; as edhe mandatmbajtësve vetë. Nuk mund t'iu tregosh pafundësisht të tjerëve një fuqi dhe energji që nuk e ke. Së paku në terma teknikë, qeveria ka tani pikun e pamundësisë për të ndryshuar edhe më tej gjendjen e vendit, sa edhe për të synuar përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në tërësi.
Ajo duket e lodhur dhe e pamotivuar përballë një sërë faktorësh që në mos përkeqësohen, së paku qëndrojnë jashtë çdolloj dinamike pozitive: rritja e çmimeve, për pasojë përkeqësimi i minimumit jetik (përherë të stilizuar); gjallërimi papritur i krimit ordiner; forcimi i kundërshtarit, sa edhe partnerit, që mban emrin korrupsion; pafuqia për të zgjidhur abuzimet me pronat; kujdesi më pak se modest për mjedisin, etj. Nga ana tjetër, edhe pse u zotua t'i disiplinonte tenderat, administrata e koalicionit "të djathtë", ka rënë gjithnjë e më poshtë në këtë kurbë mashtruese. Pikëpyetjet më të mëdha mbeten ato për mungesën e dokumentacionit për rrugën Rrëshen-Kalimash. Ndërkohë sapo kanë marrë nga një "fshikull" disa prej nëpunësve të lartë, përfshirë një zëvendësministër, pikërisht për shkak tenderash e rrugësh. Kjo s'është as për t'u nënvleftësuar, por as për t'u mburrur; raporte më pozitive në këtë temë, sot për sot nuk kemi.
Për t'u rikthyer në situatën e brishtë ekonomike, kjo rrezikon ta shndërrojë në patericë edhe shtyllën e shifrave dhe prurjeve me të cilat qeveria është mburrur shumë gjer më sot. E vërteta është që krahas shtrëngesave dhe keqkuptimeve jo të pakta, që imponohen nga disa reforma të domosdoshme, ka patur edhe arritje. P.sh. në luftën kundër informalitetit: përfshirja në sistemin e tatimeve të rreth 20 mijë subjekteve; kalimi i transaksioneve të firmave përmes bankave, etj. (Megjithatë, kjo mbetet edhe më tej një e përpjetë e vështirë). Po ashtu, ka patur disa rezultate në mbledhjen e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat; (ato arritën në vitin 2007 rreth 20 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar.) Por nga ana tjetër, këmbëngulja në kakofoninë e implementimit të taksave e gjobave ndaj biznesit, ka filluar të japë fryte të hidhura. Nga Komisionet e Kuvendit dhe nga administrata, po kundërshtohen, madje po provokohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese(!) E gjithë kjo maskaradë, ndodh e nxitet ndërkohë që përpara qeverisë shfaqen sfida të paprera, që nga problemet e borxhit të brendshëm, bilanci tejet negativ i tregtisë, mbrojtja e nivelit të inflacionit, etj. Janë shumë - dhe s'mund të konkurrohen më me eufori boshe - argumentet që i vijnë ndesh "qëndresës" për të mos bërë ndryshime në këtë qeveri mjaft të inkurajuar, por që ashtu siç është vetë e lodhur, i ka lodhur edhe qytetarët e saj. Madje është koha që edhe deputetët "e djathtë" të kuptojnë se gjer ku shkojnë kufijtë e euforisë. Tregojini qoftë edhe vetvetes, thotë diku një personazh i Anton Çehovit...