"Politika po mbron në bllok, fajtorët e tragjedisë së Gërdecit"
Sikundër shihet kjo maxhorancë, për njësi matëse të punës së vet ka vetëm llafe, premtime pafund zhurmë, bujë dhe demagogji.
Është për të ardhur keq, që ndonëse nuk janë tharë lotët e Gërdecit, ende pa u likuiduar pasojat që shkaktoi tragjedia, nga klasa politike, në bllok, po mbrohen padrejtësisht shkaktarët e këtij tmerri. Herë dosja quhet e paplotë dhe here tepër voluminoze.
Si për ironi të fatit, kësaj radhe u rreshtua përkrah fajtorëve edhe plaku Godo. Atyre që kishin respekt për urtësinë, vetëpërmbajtjen dhe gjakftohtësinë e tij, u vjen sinqerisht shumë keq, që edhe "plakun e urtë", e braktisi arsyeja, gjykimi konstruktiv dhe objektiviteti, duke dalë hapur në mbrojtje të z.Mediu, që shqip ta themi, e ka menderosur përfundimisht bashkë me shefin e tij, Berishën, që do të na bëjë për qorra, në një gjë që duket qartë si drita e diellit.